Trepça ka shënuar fitore kundër Vëllaznimit në udhëtim me rezultat 71:87 (18:29, 20:23, 15:13, 18:22), në javën e 21-të të Prince Caffe Superligës.
Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë, me një seri prej 2:9 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë 18:29. Mitrovicasit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke e ngritur epërsinë në 28:45, dhe më pas zhvillohet lojë kryesisht e barabartë, ku pjesa e parë përfundon 38:52.
‘Xehetarët’ në periodën e tretë ngritën epërsinë deri në 19 pikë, 41:60, që ishte më e larta në ndeshje, por sidoqoftë, vendasit arritën paksa të ngushtojnë rezultatin, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 53:65. Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte ndonjë dallim të madh dhe Trepça triumfoi 71:87.
Te Vëllaznimi më i miri ishte Jordan Harris me 21 pikë, ndërsa te Trepça u dalluan treshja vendore Mikaile Tmusiq me 13 pikë e pesë kërcime, Drilon Hajrizi me 20 pikë e katër kërcime dhe Erjon Kastrati me 16 pikë.
Kuqezinjtë kanë tetë fitore e 13 humbje, kurse mitrovicasit 12 fitore e nëntë humbje.