Në një atmosferë të mbushur me emocion, përkushtim dhe devotshmëri, në xhaminë e bukur të fshatit Kallnik u mbajt ceremonia madhështore e përfundimit të hifzit për hoxhën e nderuar Liridon ef. Ceka. Kjo ditë përcolli një gëzim të veçantë për të gjithë besimtarët që iu bashkuan këtij manifestimi fetar të mbushur me dritë hyjnore dhe krenari.
Në mesin e shumë personaliteteve të rëndësishme fetare, ceremonia u nderua me praninë e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetahi, sekretarit të përgjithshëm Irsal ef. Jakupi, Myftiut të Gostivarit H. Sabahudin ef. Zendeli, Myftiut të Shtipit Mr. Nasir ef. Rexhepi, drejtorit të përgjithshëm të Medresesë Isa Beu Dr. Islam ef. Islami, drejtorëve të sektorëve të ndryshëm në Rijaset, shefit të kabinetit Dr. Abdulkerim ef. Iseni, drejtorit të Institutit të Hifzit në Sarajevë Dr. Xhemal ef. Muslih, hoxhallarëve nga diaspora dhe nga vendi, si dhe shumë mysafirëve, miq e familjar.
Hafiz Liridon ef. Ceka e nisi rrugëtimin e tij me Kur’anin më 20 janar 2022, nën kujdesin e muhafizit Abdurrahman Asllani, dhe më 25 maj 2025 përfundoi me sukses memorizimin e plotë të Kur’anit Famëlartë. Provimi zyrtar u mbajt me datat 16, 17 dhe 18 korrik 2025 përpara Komisionit të Myftinisë, në përbërje të të cilit ishin: Hfz. Ismail ef. Nuhi (kryetar), Hfz. Omer ef. Dauti dhe Hfz. Jeton ef. Ajdini (anëtarë).
Në këtë eveniment të veçantë, Reisul Ulema hfz. Shaqir ef. Fetahi mbajti një fjalim frymëzues mbi vlerën e hifzit dhe rolin që mbajtësit e Kur’anit kanë në ruajtjen e identitetit islam. Mes tjerash potencoi se memorizimi i Kur’anit është një dhuratë e rrallë nga Allahu, e cila e ndriçon jetën e bartësit dhe sjell begati në mesin e umetit.
Po ashtu, mesazh urimi dhe frymëzimi dha edhe Myftiu Dr. Hfz. Selver Xhemaili, i cili përgëzoi Liridon ef. Cekën për përkushtimin, duke e cilësuar këtë arritje si një shembull dhe frymëzim për të gjithë të rinjtë në rrugën e dijes dhe devotshmërisë.
Kryetari i komisionit bëri një elaborim të shkurtër rreth biografisë të hafizit në fjalë, si dhe vlerësoi me notë të shkëlqyeshme punën e tij.
Kjo ditë u shënua si një ngjarje historike që dëshmon se Kur’ani vazhdon të jetojë në zemrat dhe mendjet e besimtarëve, veçanërisht në mesin e të rinjve që me përkushtim ia kushtojnë jetën fjalës së Zotit. Me përfundimin e Hifzit, Liridon ef. Ceka mban tashmë titullin e nderuar Hafiz i Kur’anit, duke hyrë në radhët e atyre që shpresojmë se në Ditën e Gjykimit do të jenë ndërmjetësues për familjen dhe komunitetin e tyre.
Lutemi që Allahu ta bekojë këtë hap të madh në jetën e tij dhe ta bëjë Liridonin ef. Ceka prej atyre që e jetojnë Kur’anin dhe që do të ringjallen me të.
Mirënjohje të sinqerta për imamin Hfz. Omer ef. Dauti dhe kolegun e tij Selajdin ef. Ramadani, si dhe për Këshillin e Xhamisë në Kallnik për pritjen e përzemërt dhe organizimin e këtij manifestimi të paharruar.

