Liridon Disha për Politika FAST: BDI dhe Fronti Europian do ta rikthejnë Tetovën në epiqendër të zhvillimit shqiptar – kemi vizion, kemi fuqi dhe qytetarët janë me ne!
Në intervistë për Politika FAST, këshilltari i BDI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, Liridon Disha, flet me tone të ashpra për qeverisjen katërvjeçare të kryetarit Bilall Kasami, duke e cilësuar si dështimin më të madh të Komunës së Tetovës. Disha flet për mungesën e projekteve kapitale, për keqmenaxhimin e resurseve publike dhe për vizionin që BDI dhe Fronti Europian ofrojnë për rikthimin e Tetovës në qendër të zhvillimit shqiptar.
Për më shumë rreth analizës së tij politike, lexoni intervistën e plotë më poshtë:
1. Z. Disha, si e vlerësoni punën e kryetarit të Komunës së Tetovës dhe shumicës në Këshillin Komunal gjatë këtij mandati? A ka dështuar qeverisja lokale?
1. Për këtë mandat 4 vjeçar mund të flitet për çdo gjë tjetër, veç se për punë jo. Ka katër vjet që Kryetari i Komunës nuk ka sjellë në Këshill Komunal një projekt të vetëm kapital për Tetovën. Kjo dëshmon shumë se sa efikas ka qenë në punë. Sa vizion ka pasur për qytetin dhe sa ka qenë i devotshëm ndaj qytetarëve të cilëve u premtoi shumë dhe nuk ju dha thuaj se asgjë. Po ta vlerësojmë një Kryetar Komune për nga realizimi i premtimeve dhe projekteve në të mirë të qytetarëve, mund të konkludojmë se Bilall Kasami ka dështuar në udhëheqjen e Komunës më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
2. Cilat janë tri dështimet më të mëdha të pushtetit aktual në Tetovë sipas jush?
2. Dështimet më të mëdha janë premtimet e tij të parealizuara. Duke nisur nga qendra e qytetit, stadiumi i qytetit, rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, përpilimin e Planit Gjeneral dhe Detal Urbanistik, menaxhimin me ndërmarrjet publike, shitjen e pronës publike me çmime qesharake, korrupsionit, nepotizmit, punësimeve partiake në shkolla të mesme e fillore, dështim total në krijim të strategjive afatshkurtëra dhe afatgjata për zhvillimin e bizneseve etj…
3. A mendoni se interesat qytetare janë lënë pas dore në këtë mandat për hir të interesave partiake apo koalicionit?
3. Bilall Kasami Komunën e Tetovës e ka shfrytëzuar si burim financiar për financimin e kampanjës së tij parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Interesat e qytetarëve as që janë marrë parasysh. Për 4 vjet nuk ka arritur asnjë hapsirë publike ta shndërrojë në park. Kjo tregon se në çfarë derexhe e ka sjellë Komunën ky njeri.
4. A është opozita në Tetovë e organizuar mjaftueshëm për të ofruar alternativë të besueshme për zgjedhjet e ardhshme?
4. Mendoj se po. Opozita në Tetovë ka qenë e fuqishme që në fillim sepse në vazhdimësi ka bërë kritika dhe ka tentuar t’i nxjerrë në pah dobësitë e kësaj udhëheqësie Komunale. Momentalisht kemi 11 Këshilltarë dhe shpresoj se në zgjedhjet e ardhshme me një konsolidim të rradhëve e me bashkim fuqishë të arrijmë edhe 17 që ta bëjmë shumicën në Këshill Komunal.
5. Si këshilltar opozitar, a ndiheni të kufizuar në të drejtën për të përfaqësuar interesin e qytetarëve në mënyrë efektive?
5. Në demokraci parlamentare, kur je opozitë dhe nuk i ke numrat, normalisht se e ke të vështirë ta artikulosh kritikën dhe ta ndalosh të keqen. Je i mbivotuar edhe kur ke të drejtë. Mirëpo, kjo neve nuk na ka ndalur që ta ngremë zërin dhe t’i japim jehonë të vërtetës. Kemi punuar natë e ditë për t’i zbuluar anët e errëta dhe prapaskenat e këtij pushteti Komunal. Mendoj se kemi arritur që për 4 vjet ta bindim popullin se Bilall Kasami është e keqja jo vetëm e shqiptarëve, por e të gjithë bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Tetovë. Këtë e kemi arritur me vetëmohim e me paraqitje faktesh reale në takim të ditpërditshëm me qytetarë, në seqnca të Këshillit Komunal dhe në rrjete sociale.
6. A do të jeni pjesë e listës për këshilltarë edhe në zgjedhjet e ardhshme? Nëse partia ju përkrahë.
6. Për mua nuk është e rëndësishme nëse jam ose jo në listën e Këshilltarëve. Për mua ka rëndësi që puna ime të jetë një tullë e vendosur në misionin e Ali Ahmetit. Nëse kjo tullë, ka kontribuar që muri i kalasë që ndërton ai të mbahet fortë, misioni im është arritur. Përndryshe, jam i gatshëm për çdo sfidë dhe çdo detyrim me të cilin do më ngarkojë Kryetari.
7. Cila është vizioni juaj personal për Tetovën nëse opozita vjen në pushtet?
7. Për vizionin tonë do të dëgjoni në fushatë. Megjithatë, unë mund të ju them atë që e kam thënë në vazhdimësi. Tetova nuk është vetëm qytet, por kala e pamposhtur e shqiptarëve. Është epiqendra e çdo lëvizjeje kombëtare dhe si e tillë duhet të ruhet e mbrohet me fanatizëm. Kjo nënkupton se Tetova është art, kulturë, ekonomi e zhvilluar, arsim e mbi të gjitha qendresë që i reziston çdo lloj inxhinjeringu politik. Për këtë arsye çdo kandidat i Tetovës duhet t’i ketë parasysh këto fakte e programin politik për zhvilimin e qytetit ta bazojë në këto koncepte dhe ide. Tetova është shumë më shumë se asfaltim dhe ujsjellës, është ringritje dhe ringjallje shpirtërore e shqiptarëve.
Opozita do të vijë në pushtet sepse mu këto janë konceptet mbi të cilat bazohet planprogrami ynë për një Tetovë epiqendër të shqiptarëve.
“Ky qytet ka humbur katër vite, por nuk ka humbur shpresën. Tetova do të ngrihet sërish, me njerëz që nuk heshtin, me projekte që nuk mbesin në letër, dhe me qytetarë që do të jenë më në fund prioritet,” përfundon Liridon Disha për Politika FAST.