Koalicioni VLEN, përmes një deklarate politike plot hipokrizi, manipulime dhe amnezi selektive, tenton ta shndërrojë çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në një betejë propagandistike për mbulim të paaftësisë së tyre aktuale në qeverisje. Por faktet janë të qarta, dhe ato nuk i mbulojnë dot me fjalë boshe e akuza të sajuara.
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i themeluar mbi bazën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2019, është produkt konkret i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që sot kontestohet në gjzkatën kushtetuese nga ana e VMRO-DPMNE partnerit te VLEN.
Ky ligj për herë të parë krijoi infrastrukturë institucionale, mekanizma mbikëqyrës, dhe strukturë të dedikuar kontrolluese, që nuk kishin ekzistuar më parë. Vetëm gjatë viteve 2020–2024, ky Inspektorat ka kryer qindra inspektime në nivel qendror dhe lokal, duke konstatuar lëshime, duke dhënë rekomandime për përmirësim. Po, ka pasur—por janë identifikuar, adresuar dhe korrigjuar brenda kuadrit ligjor dhe institucional, nga vetë struktura e ndërtuar për ta mbrojtur shqipen, e jo për ta shfrytëzuar si dekor për flamuj dhe parulla.
Tani kemi një Qeveri që e nëncmon dhe përbuzë hapur gjuhën shqipe, me përkrahjen e VLEN-it!
As një material qeveritar nuk shpërndahet në dy gjuhë, faqet zyrtare të ministrive funksionojnë vetëm në maqedonisht. Komunikatat zyrtare mungojnë në shqip, ose përkthehen me ditë vonesë. Vendimet administrative dhe aktet publike publikohen vetëm në maqedonisht, edhe në komuna me shumicë shqiptare. Pankartat, tabelat dhe sinjalizimi në institucione publike janë njëgjuhëshe.
Madje deri edhe në Kuvend, materialet dërgohen vetëm në maqedonisht, në shkelje flagrante të ligjit.
E gjithë kjo ndodh jo nga paaftësi teknike, por nga një qasje politike e vetëdijshme për ta nënçmuar shqipen dhe për ta dobësuar karakterin shumëgjuhësor të shtetit.
Dhe pastaj, VLEN del e flet për barazi?! VLEN, në vend se të marrë përgjegjësi për dështimet aktuale në zbatimin e ligjit, përpiqet të relativizojë këtë nënçmim të hapur duke nxjerrë raste të izoluara të së kaluarës, që janë trajtuar dhe adresuar nga vetë struktura shtetërore e ngritur për këtë qëllim dhe të korigjuara lehtësisht.
Po kujtojmë, Ligji për gjuhët nuk është as simbolik, as flamur zgjedhor. Është instrument i barazisë dhe dinjitetit qytetar, dhe duhet të zbatohet me rigorozitet institucional, jo me retorikë fushatash. VMRO–VLEN nuk kanë respekt për këtë ligj, dhe janë sot në pushtet duke e shpërfillur sistematikisht atë.
Shqiptarët nuk kanë luftuar për “faqe interneti me përkthim automatik”, por për barazi reale në çdo zyrë shtetërore, në çdo vendim, në çdo procedurë.
Nëse VLEN ka vendosur ta përdorë shqipen si justifikim të dështimit të plotë, le ta mbajë mend se shqiptarët e dinë mirë se kush e bëri ligjin, kush e ndërtoi institucionin, kush e mbrojti përdorimin e gjuhës në praktikë, dhe kush po e shkel sot.