Deputetja e BDI-së dhe Frontit Evropian, Rina Hajdari, ka reaguar ashpër ndaj qeverisë aktuale duke e cilësuar njëvjeçarin e kaluar si periudhë të errët për shqiptarët në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ajo denoncoi përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga pozicionet kyçe në shtet dhe ngriti zërin kundër diskriminimit që po thellohet në mënyrë të rrezikshme.
“Nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por me një plan të qëllimshëm për ta zhveshur komponentin shqiptar nga çdo rol vendimmarrës në siguri dhe mbrojtje,” tha Rina Hajdari gjatë një deklarate publike.
Ajo përmendi një sërë shembujsh që sipas saj, dëshmojnë shtypjen institucionale që po ndodh:
Në Ministrinë e Brendshme, zëvendësministri shqiptar është injoruar dhe margjinalizuar, ndërsa në rastin e Koçanit nuk u përfshi fare. Zëvendësdrejtori shqiptar i Byrosë për Siguri Publike ka dhënë dorëheqje për shkak të mospërfilljes sistematike.
Ndihmësministrat shqiptarë janë zëvendësuar nga kuadro të VMRO-DPMNE-së. Një polic që përdhosi flamurin shqiptar jo vetëm që nuk u ndëshkua, por u avancua në detyrë.
Në Aeroportin e Shkupit, ndaj Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, u shkel çdo protokoll ndërkombëtar dhe kombëtar i sigurisë – një skandal që turpëron shtetin, theksoi Hajdari.
Në Presidencë, nuk ka asnjë këshilltar shqiptar për siguri. I vetmi shqiptar në Këshillin për Siguri është një figurë që më parë ka akuzuar publikisht UÇK-në për krime.
Në Agjencinë për Zbulim, si drejtori ashtu edhe zëvendësi janë maqedonas, pa asnjë përfaqësues shqiptar në nivelin këshillues.
Në Armatën e Republikës, gjeneral Besnik Emini – që sipas Hajdarit është më i kualifikuari për Shef të Shtabit – është anashkaluar dhe degraduar në administratë, ndërsa një tjetër ushtarak maqedonas ngjitet në karrierë brenda natës.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, posti i zëvendësdrejtorit për inteligjencën ushtarake që më parë drejtohej nga një shqiptar, tani i është dorëzuar kuadrove maqedonase. Në strukturën aktuale, asnjë nga tre zëvendësdrejtorët nuk është shqiptar, as ndihmësministra. Nga 134 të punësuar rishtas, vetëm 14 janë shqiptarë.
Në Agjencinë për Siguri Kombëtare, që prej nëntorit 2024 nuk ka më zëvendësdrejtor shqiptar, ndërkohë që janë punësuar mbi 100 persona të rinj – gati të gjithë maqedonas.
Deputetja e BDI-së theksoi se barazia në siguri dhe mbrojtje nuk është luks, por domosdoshmëri dhe shtoi:
“Ka një vend ku padrejtësia nuk duhet të ketë vend. Ky vend është siguria e shtetit. Ne nuk do të heshtim. Sepse siguria është për të gjithë. Barazia është e panegociueshme.”
Në fund të deklaratës, Rina Hajdari bëri thirrje për unitet dhe mobilizim qytetar:
“Për gjuhën, për dinjitetin, për të ardhmen – BASHKË tani!”