AKTUALE

Në nder të Çlirimit të Kosovës u promovua në Zagreb libri “Koha e prerë” i autorit Rexhep Hoti

Në nder të përvjetorit të Çlirimit të Kosovës, në ambientet prestigjioze të Društvo hrvatskog zmaja në Zagreb, u mbajt promovimi i librit “Koha e prerë” të autorit dhe veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Rexhep Hoti. Organizimi i këtij eventi të veçantë u bë nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci dhe Shoqatës së Gruas Shqiptare “Drita” në Zagreb me kryetare znj. Dorotea Kerni.
Ajo, me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe elokuencë, krijoi një atmosferë të denjë për vlerat që përfaqësonte ky promovim, duke udhëhequr me maturi rrjedhën e fjalimeve dhe diskutimeve dhe duke përcjellë me dinjitet mesazhin e ngjarjes.
Vendi i përzgjedhur për këtë promovim nuk ishte rastësor: salla ku u mbajt ceremonia ndodhet në zemër të qytetit të Zagrebit, aty ku dikur vepronte dhe nga ku u brumos albanologu i shquar Milan Šufflay, një figurë që mishëron lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve. Kjo i dha ngjarjes një dimension të veçantë simbolik, duke e bërë atë jo vetëm një akt përkujtimi e nderimi, por edhe një urë lidhëse të trashëgimisë kulturore dhe të vlerave të përbashkëta.Në prani të një audience të gjerë, e përbërë nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci, anëtarë të Shoqatës “Migjeni” nga Ljubljana, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile kroate, si dhe dashamirës të librit dhe kulturës shqiptare, për librin dhe autorin folën:
• Dr. Martin Berishaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, i cili vuri në pah rëndësinë e këtij botimi për memorien kolektive të popullit shqiptar dhe rolin e autorit në mbrojtjen dhe promovimin e kauzës kombëtare;
• Znj. Alma Kasa, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb, e cila theksoi vlerat e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare dhe rëndësinë e kulturës si faktor bashkimi dhe vetëdije kombëtare;
• Znj. Ermina Lekaj-Perlaskaj, këshilltare speciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë për Ballkanin, e cila përçoi një mesazh miqësie, mbështetjeje dhe respekti për Kosovën dhe historinë e saj të vuajtjeve dhe qëndresës;
• si dhe vetë autori Rexhep Hoti, i cili ndau me të pranishmit frymëzimin, përvojat dhe motivet që e çuan drejt shkrimit të këtij libri.“Koha e prerë” është më shumë se një kronikë e një periudhe dramatike të historisë së Kosovës; është një rrëfim i thellë personal dhe kolektiv, që përmes analizës, reflektimit dhe kujtesës, hedh dritë mbi përpjekjet e popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe identitet. Në mënyrë të veçantë, gjatë diskutimeve u ndalua tek rrugëtimi politik, intelektual dhe filozofik i eruditit Ukshin Hoti, një nga figurat më emblematike të mendimit politik shqiptar, i cili zë një vend të rëndësishëm në këtë botim.Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe përplot emocion, ku u ndërthurën fjala e urtë, kujtesa historike dhe përkushtimi ndaj së vërtetës. Promovimi i librit “Koha e prerë” në Zagreb ishte jo vetëm një përkujtim i Çlirimit të Kosovës, por edhe një dëshmi e fuqishme e frymës së bashkimit ndër shqiptarë dhe e respektit që gëzon Kosova në rrethet diplomatike dhe kulturore të Kroacisë.

Related posts

Partitë maqedonase kundër partive shqiptare për zgjedhjen e presidentit në Kuvend

Gjyla Halili

Javën e ardhshme mbahen dy seanca, njëra për nder të Epopesë së UÇK-së

Gjyla Halili

Ahmeti takoi ambasadorin e Kosovës: Vendimi i Kushtetueses për “Balancuesin”, në funksion të politikës ditore të Qeverisë me legjitimitet monoetnik

Gjyla Halili