AKTUALE

Arsovska parashtroi prova në PTHP lidhur me “ndërtimet e legalizuara pa leje në komunën e Çairit”

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, pasdite i dorëzoi prova Prokurorisë themelore publike në lidhje me “ndërtimet e legalizuara pa leje në komunën e Çairit”.

Arsovska tha se për thirrjen e Prokurorisë themelore publike në Qytetin e Shkupit këtë mëngjes kuptoi nga mediat dhe theksoi se dokumentacioni, respektivisht provat duhej të dorëzoheshin nga Prokuroria sipas detyrës zyrtare, sepse, siç tha ajo, Qyteti i Shkupit ka lëshuar më shumë se 15 kumtesa dhe të gjitha pretendimet janë shpallur publikisht.

Sipas dokumentacionit që Qyteti i Shkupit posedon nga Kadastra për pasuri të paluajtshme, kryetarja e Qytetit sqaroi se mund të shihet se janë regjistruar fletat e pronësisë në kundërshtim me ligjin dhe pa dijeni dhe pëlqim të Qytetit të Shkupit.

“Pasi pamë se ky regjistrim është kryer në kundërshtim me ligjin dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e Qytetit të Shkupit, menjëherë vepruam dhe informuam tërë opinionin. Për të njëjtën gjë, ky është viti i tretë që raportojmë, kemi informacione me shkrim që po ia dorëzojmë Komunës së Çairit, e cila duhet që, pas marrjes së reagimit tonë, të vazhdojë me prishjen e ndërtesave pa leje, të cilat më parë është përpjekur t’i legalizojë dhe të cilat duhet t’i dijë, duhej t’i dijë, respektivisht, e dinte se ato nuk mund të legalizoheshin në përputhje me ligjin dhe nuk ka asnjë reagim nga ajo anë, ne u detyruam sepse e kapëm edhe këtë falsifikim, respektivisht regjistrimin e tij në kadastër bazuar në një dokument të pabesueshëm, me të cilin ai personalisht përpiqet të thotë se ka pasur dokumentacion nga Qyteti i Shkupit se është paguar kompensim, e nuk është paguar. Që do të thotë se ai ka paraqitur një falsifikim të plotë në kadastër”, theksoi Arsovska.

Në pyetje të gazetarëve se çka pret nga Prokuroria, duke marrë parasysh pretendimet e saj se provat po shkatërroheshin ndërkohë dhe nëse ndjehet e mbrojtur nga shteti, Arsovska u përgjigj shkurt, “nga cili shtet, nga ky që lejon ndërtesa me vlerë miliona euro të legalizohen në kurriz të qytetarëve?”.

Related posts

Misovski, Zajkova dhe Iljaz mund të bëhen pjesë e shumicës?

Gjyla Halili

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në garë dhe dy shqiptarë

Gjyla Halili

Demiri: Nuk është e ligjshme që Klinika të mos jetë e siguruar, menaxhmenti duhet të marrë përgjegjësi për këtë

Gjyla Halili