Këshilli Gjyqësor ka marrë vendimin për shkarkimin e gjykatësit të Apelit, Enver Bexheti, i cili në fund të vitit të kaluar përfundoi në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mësohet se vendimi është marrë dje pasdite gjatë një seance të mbyllur për publikun, shkruan Flaka
Për momentin, Këshilli Gjyqësor ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion, ndërsa kryetari i tij, Aleksandar Kambovski, nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të mediave.
Në rast se vendimi për shkarkim bëhet publik, Bexheti do të pezullohet menjëherë nga detyra e tij në Gjykatën e Apelit. Po ashtu, Këshilli Gjyqësor do të jetë i detyruar të sqarojë arsyet dhe bazën ligjore mbi të cilën u mor ky vendim.
Dy vjet më parë, Këshilli Gjyqësor kishte vepruar kundër Bexhetit pasi kishte konstatuar se ai kishte vonuar në mënyrë të paarsyeshme për rreth nëntë muaj trajtimin e rastit “Target-Fortesa”, ku ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov, ishte i akuzuar kryesor. Në atë kohë, Bexheti u gjobit me para, pa u shkarkuar.
Në vitin 2024, Enver Bexheti përfundoi në listën e zezë të SHBA-së, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin në arrati, Artan Grubi. Ata u akuzuan për ryshfet në vendimin e Bexhetit në rastin “Mijallkov” që lidhet me përgjime masive të paligjshme. Vonesa në trajtimin e çështjes ishte shkak për vjetërsimin e saj.
Në anën tjetër, në pjesën e hapur të seancës, Këshilli Gjyqësor miratoi ngritjen në pozicionin e gjykatësit të Apelit të kryetarit të Gjykatës Penale, Ivan Xholev. Gjithashtu, u emërua gjykatëse e Apelit edhe Olja Ristova, e cila më parë kishte kërkuar shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor, për shkak të mosndarjes së pozitës së duhur në Apel për të.
Gjykata e Apelit në Shkup u përforcua edhe me gjykatësit Betim Jahja nga Gjykata Themelore e Tetovës dhe Marija Kletniçka Markovska.