CNVP Foundation
Prespa Ohrid Nature Trust – PONT
Shar Mountain National Park
Lexo: https://tradita.org/2025/05/10/mbrojtja-e-flores-dhe-faunes-ne-malin-sharr-detyre-qe-i-tejkalon-kufijte-e-ekologjise/
Më 10 maj 2025, në Kodrën së Diellit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova, organizoi tribunën me temë: “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës në Malin Sharr – imperativ shoqëror”.
Në këtë veprimtari u theksua se ruajtja e natyrës nuk është vetëm detyrë ekologjike, por edhe mision kulturor dhe shoqëror, që kërkon ndërgjegjësim, angazhim dhe bashkëpunim të gjerë.
Kryetari i Shoqatës “Tradita”, z. Selam Sulejmani, në fjalën e tij theksoi se Mali Sharr për banorët lokalë është më shumë se një hapësirë natyrore – ai është simbol i jetës, frymëzimit, kujtesës kolektive, vendi ku janë rrënjosur këngët, legjendat, mjekësia popullore dhe vetë mënyra e të jetuarit.
“Mbrojtja e florës dhe faunës në këtë mal është një përpjekje për të ruajtur trashëgiminë që brez pas brezi është kultivuar me përkushtim. Tradita nuk është thjesht kujtim i së kaluarës – është kujdes për të tashmen dhe për të ardhmen tonë,” – u shpreh z. Sulejmani.
Në tribunë mori pjesë edhe z. Emir Huseini, Drejtor i Institucionit Nacional “Parku Kombëtar Mali Sharr”, i cili vlerësoi angazhimet konkrete të Shoqatës “Tradita”, përfshirë aksionet për mbjelljen e fidanëve në fshatin Lisec, dhe tani përfshirjen në tema thelbësore që ndërlidhen me mbrojtjen e biodiversitetit.
“Organizime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes ekologjike dhe në ndërgjegjësimin e përgjithshëm shoqëror për rëndësinë e mbrojtjes së Malit Sharr,” – theksoi ai.
Punimet e tribunës vazhduan me prezantimet e folësve të ftuar nga fusha të ndryshme akademike dhe institucionale, ndër ta: Agron Salihi – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup; Arben Halili – Profesor në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tetovës; Berat Azizi – përfaqësues nga Komuna e Tetovës; Besnik Rexhepi dhe Nasuf Abdii – profesorë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Universiteti i Tetovës.
Diskutimet u fokusuan në sfidat mjedisore që kërcënojnë biodiversitetin e Malit Sharr, rolin e institucioneve, sektorit civil dhe qytetarëve në ruajtjen e natyrës, ndërlidhjen midis pasurisë natyrore dhe trashëgimisë kulturore të popullatës vendase.
Në përfundim të tribunës, pjesëmarrësit ofruan propozime konkrete për veprime në terren, duke përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit qytetar; iniciativa për edukimin mjedisor dhe nisma për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërsektorial.
Tribuna u mbyll me një thirrje të përbashkët: të veprojmë tani për të ruajtur Malin Sharr si pasuri natyrore, kulturore dhe identitare për brezat që vijnë.
*Tribuna u zhvillua në kuadër të projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës në Malin Sharr – imperativ shoqëror”, që realizohet nga Shoqata “Tradita”-Tetovë, në kuadër të projektit më të gjerë “Përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (Korab – Koritnik – Mali Sharr dhe Alpet Shqiptare)”, i financuar nga CNVP dhe PONT.

