Gjykata e Apelit në Shkup, pas ankesës së prokurorit publik Darko Jakimovski, ka ashpërsuar dënimet me burg për disa nga të akuzuarit në rastin tragjik “Llaskarca”, që ndërlidhet me aksidentin e autobusit të vitit 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 u lënduan.
Pronarit të kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, i është rritur dënimi nga 4 në 10 vite burg. Po ashtu, edhe përgjegjësit për transport në kompani, Remzi Miftari, i është rritur dënimi nga 6 në 10 vite.
Gjykata ka refuzuar si të pabazuara ankesat e një pjese të të akuzuarve, ndërsa ka pranuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë së Shkupit, duke i ashpërsuar edhe më tej disa prej dënimeve.
Dy të punësuarit në stacionin e kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Duhovski, janë dënuar me nga 7 vite burg, ndërsa Jane Bovarovski mbetet me 5 vite burg. Drejtuesi i autobusit, Manoil Trifunovski, është dënuar me 14 vite burg.
Gjykata konstatoi se Beluli dhe Miftari nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë dhe kanë lejuar një autobus teknikisht të parregullt të qarkullojë, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve. Punonjësit e stacionit të kontrollit teknik kanë lejuar që autobusi të kalojë kontrollin pa përmbushur kushtet. Ndërkohë, shoferi Trifunovski, i cili ishte në dijeni për problemet teknike, e ka drejtuar autobusin me 55 pasagjerë dhe për shkak të pakujdesisë, ka përfunduar duke u përplasur me mbrojtësen metalike të rrugës. Ai zgjodhi të mbrohej në heshtje, ndërsa në gjykimin e shkallës së parë, mbrojtja u përpoq të fajësojë vetëm shoferin.