Gjykata e Apelit Shkup informon opinionin dhe mediat se duke vepruar mbi çështjen penale KSZh-406/25, në seancë jo publike të mbajtur më 06.05.2025, e ka pranuar ankesën e të dyshuarit A.J. nga S.
Vendimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup e ka ndryshuar në atë mënyrë që e ka shfuqizuar masën e paraburgimit të caktuar ndaj të dyshuarit A.J. nga S., duke pranuar garancinë në shumën prej 986.540,00 euro, në kundërvlerë denarësh prej 60.672.235,00 denarë, përmes vendosjes së hipotekës mbi pasuri të paluajtshme në favor të Republikës së Maqedonisë dhe shumën prej 72.000.000,00 denarë në para të gatshme në favor të Republikës së Maqedonisë.
Njëkohësisht ndaj të dyshuarit A.J. nga S. janë caktuar masa kujdesi:
– detyrim që i dyshuari të paraqitet periodikisht te një zyrtar i caktuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, dhe
– ndalim i përkohshëm i pasaportës ekzistuese dhe ndalim i lëshimit të një pasaporte të re.
Gjatë vendimmarrjes, Gjykata e kishte parasysh propozimin paraprak pozitiv të Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Shkup, si dhe mendimin e Prokurorisë së Lartë Publike Shkup për pranimin e ankesës së të dyshuarit me pranimin e garancisë së ofruar.
Pjesa e garancisë e ofruar dhe e pranuar në para të gatshme prej 72.000.000,00 denarë përfaqëson shumën e dëmit të supozuar për të cilin i dyshuari dyshohet se e ka shkaktuar në ngjarjen penale konkrete.
Vendimi i sjellë me arsyetim të plotë do të publikohet në faqen zyrtare të gjykatës, në përputhje me Ligjin për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve në gjykata, njoftuan nga gjykata.