AKTUALE

Shkupi e Sofja ende shumë larg marrëveshjes!

Maqedonia e Veriut është një shtet demokratik ku liritë politike respektohen në përgjithësi, vlerësuan bashkëraportuesit për Maqedoninë e Veriut në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Por, ata shtojnë se nevojitet bashkim i forcave politike për gjendjen politike në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, vazhdon të mbetet aktive kërkesa që në Kushtetutë të përfshihet edhe pakica bullgare, shkruan Zhurnal.mk.

Europa bën ftesë që të futen bullgarët në Kushtetutë

Nga Asambleja e Këshillit të Evropës u konfirmua se vazhdon mbështetja e plotë në përpjekjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE dhe u bë thirrje të gjitha partive politike të gjejnë një kompromis për të zbatuar ‘propozimin francez’ duke përfshirë pakicën etnike bullgare në Kushtetutë.
Nga ana tjetër, autoritetet bullgare nuk po i nënshtrohen kushteve. Presidenti bullgar Rumen Radev u pyet nëse, pas takimit të tij me Presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, ishte i gatshëm të bënte lëshime të tilla si ato që kërkoi Maqedonia e Veriut.
Por, ai i bëri thirrje Shkupit zyrtar që “mos të marr si pretekst” Bullgarinë, sepse nëse ajo nuk zbaton reforma në fushën e sundimit të ligjit nuk ka BE.
“Fjala lëshime nuk ekziston në fjalorin tim ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. E kuptoj plotësisht Presidentin e Këshillit të BE-së, sepse ai dëshiron që integrimi i Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet”, thotë Rumen Radev.
Komisionerja bullgare evropiane Marija Gabriel, megjithatë, theksoi se Brukseli dhe Sofja janë të përkushtuara ndaj zgjerimit të Unionit, por duke gjykuar nga deklarata, ato nuk po i përmbahen afateve.

Situata nxehet edhe më shumë!

Një foto ku duket sikur kryeministri Mickoski i përkulet gjatë përshëndetjes kryeministrit bullgar ka nxehur edhe më shumë situatën ditëve të fundit. Deputeti Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE akuzoi portalet bullgare për shtrembërim të pamjes së takimit midis kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit bullgar të GERB-it, Bojko Borisov, në samitin e Partisë Popullore Evropiane në Valencia.
Kovacki thotë se pala bullgare është e lënduar nga fakti që Maqedonia nuk po gjunjëzohet më para kërkesave bullgare.
“Kur shohim faqen e parë të një portali bullgar me fjalët “Mickoski me një përkulje të thellë ndaj Borisovit”, mendimi i parë është i pamohueshëm, sa shumë u mungon në të vërtetë Zaevi. Le të mos gënjejmë veten, kjo është një tjetër foto e lirë, e prerë qëllimisht dhe e interpretuar tendenciozisht, e bërë me një qëllim të qartë: të paraqesë një gjest mirësjelljeje si nënshtrim”.
Por, përveç sqarimit partiak, Kovaçki vazhdon me gjuhë të ashpër. “Mjaft me gjunjëzime, jo më përkulje, jo më heqje dorë nga vetja. Maqedonia nuk ka qenë kurrë më krenare, duke ecur përpara me vendosmëri, duke punuar vetëm për të arritur interesat e veta, jo ato të të tjerëve! Maqedonia më në fund po ndjek një politikë proaktive, të pavarur dhe pro-evropiane – por në një mënyrë maqedonase, me dinjitet. Dhe kjo i dëmton ata! Sepse pas vitesh shërbimi, më në fund ka një shtet që thotë “jo”, shkroi Kovacki në profilin e tij në Facebook.

Shkupi e Sofja ende shumë larg marrëveshjes!

Nëse analizohet retorika e politikanëve në të dy shtetet, rezultati është shumë i qartë se “Marrëveshja është shumë largë”. Nëse presidenti Radev thotë s’ka lëshime, ndërsa VMRO DPMNE thotë s’ka gjunjëzime, atëherë kjo tregon se sa largë është përafrimi i qëndrimeve.
Nga ana tjetër, Mickoski tenton që të bindë drejtuesit e BE-së se ai është në të drejtë dhe se duhet të marrë garanci se kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë.
Megjithatë këto punë nuk shkojnë kështu në Bruksel. Shtetet anëtare i vendosin kushtet, ndërsa shtetet që duan anëtarësimin duhet t’i plotësojnë kushtet, ose të heqin dorë nga kërkesa për anëtarësim.
Partitë shqiptare kishin garantuar se brenda gjashtë muajve do të bëjnë presion që të zgjidhet ngërçi i integrimeve evropiane, por edhe pas nëntë muaj qeverisje s’ka një paralajmërim të tillë.
Duhet të jetë shumë e qartë për politikën në Maqedoninë e Veriut, e sidomos për politikanët maqedonas, se rruga drejt BE-së s’ka kompromis dhe nuk ka rrugë tjetër alternative. Andaj, duhet me mendje të kthjellët dhe me qetësi të ulen gjakrat dhe të bisedojnë për ingetrimin si mundësia më e mirë për vendin.//Zhurnal.mk

Related posts

Ganiu: Investimi në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë është investim për të ardhmen

Gjyla Halili

Pendarovski: Do të anëtarësohem në OBRM-PDUKM nëse arrijnë që maqedonasit t’i fusin në Kushtetutën e Bullgarisë

Gjyla Halili

Më së ftohti në Kodrën e Diellit, më së shumi borë në Hanet e Mavrovës

Gjyla Halili