Sot 23.04.2025 në ambientet e Rijasetit të BFI-së në Shkup u mbajt mbledhja e rregullt e Rijasetit të BFI-së. Në këtë mbledhje u diskutua dhe u shqyrtuan disa pika, ndërsa më të rëndësishmet ishin, Raporti i aktiviteteve gjatë Muajit të Ramazanit dhe përgatitjet për Kurban Bajramin.
Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai në pika të shkurta referoi për aktivitetet e tij gjatë Ramazanit, vizitat, takimet në vend dhe jashtë vendit. Në veçanti përmendi Konferencën e vendeve islamike të organizuar nga Rabita që në fillim të Ramazanit u mbajt në Kamboxhia, më pas vizitën në Katar, me ftesë të Emirit të Katarit dhe vizita në Arabinë Saudite me ftesë të Rabitas ku është diskutuar për shumë çështje dhe aktualitete islame.
Pas shqyrtimit të raportit që përgatiti Komisioni qendror i programit të Ramazanit, u vlerësuan lartë aktiviteti dhe puna e gjitha muftinjëve që bashkë me bashkëpunëtorët e tyre, me programet dhe përmbajtjet e tyre kanë begatuar dhe gjallëruar ditët dhe netët e Muajit të Ramazanit.
Gjithashtu lartë u vlerësuan edhe vizitat e delegacioneve të BFI-së në diasporë dhe vizitat e anëtarëve të Rijasetit nëpër xhamitë dhe xhematet e vendit. Në raport theksohet se delegacionet e BFI-së të përbërë nga anëtarët e Rijasetit, profesorët e FSHI-së, profesorët dhe profesoreshat e Medresesë Isa Beu, kanë zbatuar plotësisht planin dhe gjatë gjithë Muajit të Ramazanit kanë qenë të pranishëm në mesin e xhematit me ligjërata, tribuna, mbrëmje Kuranore dhe shumë aktivitete tjera.
U konstatua se edhe këtë vit besimtarët musliman kanë treguar vetëdije dhe përgjegjësi të lartë fetare për peshën e institucioneve arsimore fetare, Medresenë Isa Beu dhe Fakultetin e Shkencave Islame. Falë transparencës dhe llogaridhënies nga të gjitha organet e BFI-së, edhe këtë vit kontributet e besimtarëve shënojnë rritje të konsiderueshme. Prandaj, RIJASETIT i BFI -së falënderon imamët dhe gjithë nëpunësit për kontributin e tyre, sidomos shpreh mirënjohje të thellë për xhematin dhe besimtarët tanë të mrekullueshëm brenda dhe jashtë vendit në diasporë.
Rreth pikës për Kurbanët, Rijaseti i BFI-së, formoi Komisionin qendror i cili ditëve në vijim do duhet të analizojë tregun dhe më pas të caktojë çmimin e Kurbanëve.
Në mbledhje, gjithashtu u diskutuan edhe shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në vend.


