Pas dështimit të martën, sot do të vazhdojë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës.
Seanca është paraparë të mbahet në ora 12:00.
Të mërkurën, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i është drejtuar me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për hapat e mëtejmë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente.
Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.
Ajo citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Pas letrës së presidentes, seanca është caktuar për sot në ora 12:00.
Deputetët e zgjedhur të partive kryesore politike parlamentare kanë thënë se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por me qëndrime të njëjta që çuan drejt ndërprerjes së saj ditë më parë.
Seanca nisi të martën, rreth orës 11:00 dhe u ndërpre rreth dy orë më pas, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.