AKTUALE

Kasami: Edhe pa Taravarin, VLEN-i peshon njësoj! Taravari: Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh

Për kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pesha e koalicionit VLEN është e njëjtë edhe pa Taravarin.

“Unë vlerësoj se VLEN peshon, të mos them më shumë, aq sa peshon pa Taravarin, apo sa vlente e peshonte me Taravarin. Sepse VLEN është këtu, të gjithë aktorët e tjerë janë këtu”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa.
Në intervistë për REL Kasami u shpreh optimist se ende ka shanse reale që VLEN të vazhdojë i bashkuar, sepse siç shprehet, vlera e secilës parti, pjesë e koalicionit, është shumë e madhe si pjesë e VLEN-it. Humbësi më i madh, sipas tij, do të ishte ai që del nga VLEN, gjersa rikujtoi edhe një shprehje popullore.

“Unë vlerësoj se humbësi më i madh do të jetë ai që del, pra në rastin konkret të koalicionit VLEN. Sepse jo rastësisht edhe thënia popullore është „ai që ndahet nga grupi, e han ujku”. Në këtë rast mendoj se VLEN do të vazhdojë edhe më fuqishëm”, shtoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
I pyetur për një qëndrim rreth këtyre fjalëve të Kasamit, kreu i ASH-së që ende zyrtarisht është në VLEN, Arben Taravari, ishte i shkurtë në përgjigje, duke thënë se Kasami ngatërron numrat dhe ekuacionet.

“Lapsus linguae. Ngatërrim numrash dhe ekuacionesh”, deklaroi Arben Taravari – kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Një përgjigje të ngjashme Taravari dha edhe ditë më parë, pasi Kasami tha se nëse ai largohet, atëherë është zero sepse zero ka qenë para se të vijë në koalicionin VLEN. Kësaj Taravari iu përgjigj duke thënë se mendon se është lapsus lingua, kur sipas tij, goja flet më shumë se truri proceson. “Mendoj se nuk e kishte me qëllim të keq ose thjesht e gaboi radhitjen e fjalëve në fjali. Nuk mendoj se kishte prapavijë të keqe deklarata e z.Bilall Kasami”, përfundoi kreu i ASH-së.

Krejt këto zënka me fjalë mes partnerëve brenda VLEN-it kanë nisur që kur brenda tyre u hap debati se si të dilet në zgjedhje lokale. Të gjithë kryetarët ishin që të dalin me kandidatë për kryetar dhe lista të përbashkëta për këshilltarë, përveç Taravarit, i cili kërkon që të dalin me lista të veçuara për këshilltarët komunalë.

Dy ditë më parë liderët e VLEN-it u takuan, por pa një vendim përfundimtar. Bekim Qoku si përfaqësues i VV-së brenda këtij koalicioni tha se ende po diskutojnë detajet dhe se mendon që në lokale VLEN duhet të dalë me lista edhe me kandidatë të përbashkët.

Related posts

Taravari i përgjigjet Kasamit: Rehatojmë kurrizin tonë mbi kurrizin e popullit!

Gjyla Halili

Azgan Hakla: Jam besim plotë jo vetëm në energjitë, vullnetin tim por së pari në bashkimin tonë qëndrestar për një shpresë të re për Kombin Shqiptar.

Gjyla Halili

Tryezë e rrumbullakët për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin Gjyqësor

Gjyla Halili