Si sot, para 27 viteve (më 10 prill 1998), filloi të botohet FAKTI, gazeta e parë e pavarur ditore në gjuhën shqipe në Maqedoni. Dalja e kësaj gazete përkoi me kohën kur përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi po hynin në nje fazë finale, me plot sakrifica dhe vuajtje. Duke qenë kronikë e asaj kohe , gazeta FAKTI mbeti një prej dëshmive më autentike të zhvillimeve që u finalizuan me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe me fillimin e një procesi reformues në favor të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Si pronar dhe botues i kësaj gazete, e konsideroj veten me fat që pata një grimë kontribut në të gjitha ato zhvillime që e avancuan lirinë dhe dinjitetin e popullit tim.
FAKTI doli nga zero dhe u bë numër. Matematika e kësaj ecjeje i pati edhe të peripecitë e veta, por bilanci doli i suksesshëm, jo gjithaq për vetveten, sa për një shoqëri më të gjerë.
Të bësh gazetë sot, ndryshon shumë nga koha e Konicës. Ajo çka e bënë të ndryshme këtë kohë tonën është sasia e pakontrolluar e injorancës për të refuzuar kulturën mediatike në formimin e substancës morale, profesionale, e socialpolitike të njerëzve, por edhe kur falangistë të caktuar të medias gjithnjë e më shumë janë të gatshme t’i përmbushin shijet e këqija të publikut, në vend se t’i korrigjojnë ato.
Fundshekulli i kaluar që solli FAKTIN po e mbyllte harkun qindvjeçar me bindjen se gazetaria, megjithatë duhet të bëhet model i paevitueshëm i krahasimit midis kohës që sjell ndryshimin dhe kotësive të stampuara në etiketën e vlerave të skaduara.
FAKTI, megjthatë, ishte hallka që lidhi dy shekujt e shkrimit shqip.
Gjithë kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, por edhe lexuesve të shumtë, ua uroj këtë përvjetor të gazetës FAKTI, me shpresë që ky evokim do të ketë një simbolikë kuptimplotë me botimin e një monografie kushtuar kësaj gazete.
Gëzuar!
Emin AZEMI,
themelues dhe botues i FAKTI-t
Shkup, 10 prill 2025