Kryetari i shoqatës ” Jehona e Malësisë” në Miçigan, Agron Dedivanaj i shoqëruar nga politikologu i shoqatës, Vilson Sinishtaj dhe anëtarë të tjerë ka marr pjesë në manifestimin e organizuar nga shoqata ” Malësia e Madhe NY” me rastin e 30 vjetorit të themelimit të shoqatës, njëherit dhe përkujtimin e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911, e cila përfaqëson një nga ditët më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Dedivanaj falenderon në mënyrë të veçantë kryesinë e shoqatës ” Malësia e Madhe NY” për mikpritjen atmosferën e vërtetë atdhetare dhe vëllazërore, ashtu siç i ka hije çdo shqiptari.
Ja postimi i plotë:
Mbrëmë pata kënaqësinë të marr pjesë në një manifestim të mrekullueshëm të organizuar nga shoqata “Malësia e Madhe NY”, e cila shënoi 30 vjetorin e themelimit të saj, si dhe përkujtoi dhe festoi Kryengritjen e Malësisë të vitit 1911, ku 6 prilli përfaqëson një nga ditët më të rëndësishme dhe më të çmuara të historisë sonë të pasur.
Dëshiroj të falënderoj kryesinë e shoqatës “Malësia e Madhe NY” për respektin dhe mikpritjen e jashtëzakonshme, ashtu siç u ka hije shqiptarëve, ku me plot kënaqësi kemi shijuar atmosferën e vërtetë atdhetare dhe vëllazërore që mbizotëroi në këtë manifestim.
Po ashtu, ata na nderuan duke na dhënë nga një çertifikatë të veçantë mirënjohjeje për realizimin e projektit tonë të përbashkët, pra ndërtimit dhe vendosjes së përmendores së kryeheroit të kombit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Malësi.
Ky projekt na dëshmoi se kur bëjmë diçka së bashku, suksesi është i garantuar. Ndaj sot përmendorja e Skënderbeut me krenari shkëlqen në Tuz në sheshin me po të njëjtin emër dhe simbolizon forcën e bashkimit të shqiptarëve.
Prandaj këto mirënjohje që morëm i kushtohen të gjithë bashkatdhetarëve tanë, të gjithë vëllezërve dhe motrave tona që mbështetën, kontribuan dhe punuan për të krijuar historinë së bashku.
Faleminderit dhe qofshim gjithmonë kështu të bashkuar dhe unik në çdo aktivitet të ardhshëm!