Me rastin e 114 vjetorit të kryengritjes së Malësisë dhe ngritjen e flamurit në Deçiq nga heroi i kombit Dedë Gjon Lulit, kryetari i Shoqatës atdhetare “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, ka theksuar se ky akt heroik hodhi themelet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
“Guximi i tyre na përkujton se shpirti shqiptar për liri, pavarësi dhe atdhedashuri është më i fortë se çdo gjë në këtë botë”, ka shkruar z. Dedivanaj.
Postimi i plotë i z. Dedivanaj:
Më 6 prill, ne përkujtojmë një moment të rëndësishëm në historinë e lavdishme të kombit tonë – përvjetorin e 114-të të Kryengritjes së Malësisë si dhe ngritjen e flamurit shqiptar në Deçiq nga heroi Ded Gjon Luli. Ky akt historik dhe heroik jo vetëm që simbolizoi vullnetin e palëkundur të gjakut dhe identitetit shqiptar për liri dhe pavarësi, por edhe hodhi themelet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Guximi dhe uniteti i shfaqur nga të parët tanë gjatë kësaj kryengritjeje është një burim frymëzimi për të gjithe ne. Sot, duke nderuar këtë datë, ne festojmë forcën e vertetë të kombit tonë, e cila qëndron tek bashkimi dhe uniteti i të gjithë shqiptarëve dhe vetëm duke respektuar këto vlera ne mund të ecim përpara drejt realizimit të idealeve tona atdhetare.
Le të shërbejë kjo ditë si një pasqyrë e forcës sonë kolektive si dhe le të nderojmë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që luftuan për lirinë e këtyre trojeve, sakrificat e të cilëve vazhdojnë të jehojnë në historinë tonë. Guximi i tyre na përkujton se shpirti shqiptar për liri, pavarësi dhe atdhedashuri është më i fortë se çdo gjë në këtë botë. Lavdi e përjetshme heronjve tanë!
Gëzuar 6 Prillin dhe rrnoftë kombi shqiptar!