Tragjedia në Koçan, ku humbëm 59 jetë të reja dhe që tronditi të gjithë shtetin, kërkon një hetim të paanshëm, të thellë dhe gjithëpërfshirës që do të përcaktojë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë. Çdo person që do të rezultojë përgjegjës – pavarësisht nëse bëhet fjalë për një funksionar të mëparshëm apo aktual – duhet të japë llogari para drejtësisë. Megjithatë, me shqetësim po e ndjekim rrjedhën e deritanishme të hetimeve. Të gjitha analizat krijojnë përshtypjen se hetimi është selektiv dhe i drejtuar ekskluzivisht ndaj ish-funksionarëve dhe zyrtarëve. Deri më tani, asnjë funksionar aktual nuk është përfshirë në hetim, edhe pse tragjedia ndodhi pikërisht në kohën kur ata ishin në pozita përgjegjëse, thonë nga LSDM.
“Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë funksionar aktual nuk është përfshirë në hetimin për Koçanin? Sipas informacioneve publike, dy ish-drejtorë të DPI-së janë përfshirë në hetim për shkak të mosveprimit të pretenduar. Por, lind pyetja logjike: pse drejtori aktual i DPI-së, Vllatko Stojkoski, nuk është pjesë e hetimit? A nuk është ai i detyruar të japë llogari për kompetencat e DPI-së dhe punën e shërbimeve inspektuese para dhe gjatë tragjedisë?
Për më tepër, pse nuk po hetohen përgjegjësit që ishin në pozita në MPB, komandantët, inspektorët dhe drejtuesit e DPB Koçan dhe SPB Shtip, të cilët, sipas ligjit, ishin të detyruar të siguronin ngjarjen? Si është e mundur që po injorohen ata që atë natë ishin në detyrë, në pozicione me përgjegjësi ligjore për të vepruar – por nuk e bënë? Nuk ka përgjigje për pyetjet nëse është e vërtetë që të gjithë shtatë punonjësit e arrestuar të MPB-së nuk ishin në funksion gjatë natës së tragjedisë? Këto pyetje janë legjitime dhe institucionet kompetente – Prokuroria Publike dhe MPB – nuk duhet të heshtin. Drejtësia e vërtetë nuk mund të arrihet pa një hetim të plotë dhe të paanshëm,” thonë nga partia.