Drejtoria e të Ardhurave Publike, duke u thirrur në ndjeshmërinë e tragjedisë në Koçan dhe, siç theksojnë ata, në interes të hetimeve, nuk do të publikojë informacione shtesë që mund të ndikojnë në proces. Nga aty, për Portalb.mk, thanë se diskoteka Pulse nuk është mbyllur në dhjetor të vitit të kaluar 2024, por e njejta është gjobitur për parregullsi, në pajtim me Ligji për regjistrimin e pagesave me para në dorë.
„Mbyllja për të cilën po spekulohet në opinion është kryer në një objekt tjetër hoteliere (me emër tjetër) që ka qenë objekt kontrolli dhe për të cilin është shqiptuar ndalim i përkohshëm për kryerjen e aktiviteteve për 15 ditë në periudhën korrik 2023, pas kontrolleve të kryera më parë nga DAP në përputhje me Ligjin për regjistrimin e pagesave me para në dorë“, thonë nga DAP.
Nga aty theksojnë se:
„Në kuadër të kompetencave ligjore të DAP-it, që nga fundi i vitit 2022 janë kryer procedura për realizimin e borxhit të papaguar me bllokim të llogarisë dhe borxhi është paguar, pas së cilës llogaria është zhbllokuar automatikisht nga banka. Megjithatë, që nga gushti 2024, procedurat për pagesën e borxhit janë ende aktive për qëllime të mbledhjes së fondeve të debitorit në banka mbi baza të shumta (borxhe tatimore dhe paga).
Bllokimi i një llogarie, si masë, në përputhje me ligjin për procedurën tatimore, parashikohet në procedurën përmbarimore, përkatësisht në procedurën e arkëtimit të borxhit që realizohet nga ana e DAP. Në procedurën për inkasimin e detyrueshëm të borxhit, sipas Ligjit për Procedurën Tatimore, nuk parashihet masa e mbylljes së objektit. Bllokimi i llogarisë si masë dhe ndalimi i përkohshëm për kryerjen e një veprimtarie si masë vendosen në baza të ndryshme, në përputhje me ligje të ndryshme dhe në procedura të ndryshme të zbatuara nga DAP“.
Nga ana tjetër, për partinë “Opsioni qytetar për Maqedoninë (GROM)”, dita “D” nga e cila duhet të nis hetimi është 21 dhjetori 2024.
“Kjo është dita kur një organ zyrtar shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, e mbylli këtë objekt. Nuk ka fare rëndësi nëse ishte DAP, Enti Shtetëror i Statistikave, Inspektorati Shtetëror i Tregut, apo policia. Është e rëndësishme që një autoritet shtetëror kompetent zyrtar të ketë lëshuar urdhër që ndalon funksionimin e këtij objekti”, thanë nga partia.
Kujtojmë se, nga zjarri në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.