Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp i ka komentuar me habi për shumat astronomike të shpenzuara nga Chelsea në afatin kalimtar të janarit: “Nuk do të them asgjë pa avokatin tim”, tha me shaka trajneri i Liverpoolit në konferencë për shtyp.
“Unë nuk e kuptoj se si është e mundur, por nuk më takon mua të shpjegoj se si funksionojnë gjërat. Nuk e kuptoj këtë pjesë të biznesit, por sigurisht që është një shifër e madhe. Megjithatë, ata janë të gjithë lojtarë shumë të mirë, kështu që urime atyre”.
Londinezët patën një nga afatet kalimtare më të shtrenjta në histori, duke investuar rreth 327 milionë euro, më shumë se të gjitha skuadrat në Serie A, Bundesliga, La Liga dhe Ligue1 së bashku.
120 milionë të shpenzuara për të marrë Enzo Fernandez nga Benfica e bënë atë futbollistin më të paguar në historinë e Premier League, por argjentinasit duhet t’i shtohet Mudryk, Badiashile, Madueke, Malo Gusto (që do të mbërrijë në verë), Santos dhe Fofana, plus huazimi i Joao Felix. Klopp, nga ana tjetër, duhej të “kënaqej” me më shumë se 40 milionët e shpenzuara nga klubi i tij për Cody Gakpo.