Sokol Paja
New York, 22 Mars 2025 – Këshilli Shqiptaro Amerikan, OJQ – For New Life Kosovo dhe Këshilli Koordinues i Asociacionit të Shoqatave të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës hapën në Monroe University, Ekspozitën Fotografike të Krimeve Serbe në Kosovë (1998-1999). Me pjesëmarrjen e patriotëve të shquar të mërgatës së Amerikës, aktivistëve e atdhetarëve, ekspozita me fotografi origjinale, shumë prej tyre u prezantuan për publikun herë të parë, nxjerrë në pah 26 vjetorin e gjenocidit serb në Kosovë dhe drejtësinë e munguar për shqiptarët e masakruar.
Kjo ekspozitë është një homazh, nderim e përkujtim për viktimat, masakrat dhe gjenocidin e tmerrshëm serb gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.
Shqiptarët e Amerikës apeluan për drejtësi, për të kujtuar dhe kurrë për të mos harruar: 13.950 të vrarët, 20.000 gratë dhunuara si dhe 1.620 persona ende të pagjetur si pasojë e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë. Nën prezantimin profesional të publicistit Luz Thaçi në fjalën e parë të ceremonisë zonja Kumrije Karaqica apeloi për shqiptarët e Amerikës që të bëhet presion nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë për gjetjen e personave të zhdukur nga krimi dhe gjenocidi serb në Kosovë. Z.Haxhi Dauti deklaroi se Këshilli Shqiptaro Amerikan do ta ngrejë zërin në Uashington për çështjen e Kosovës dhe nderoi me Certifikatë Mirënjohje z Ramë Manaj. Ambasadori Ervin Bushati në fjalën e tij theksoi se vuajtja e qëndresa e shqiptarëve të Kosovës ishte bazë themeli për lirinë e Kosovës. Ai shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ndalën agresionin dhe gjenocidin serb në Kosovë.
Ambasadori Blerim Reka në fjalën e tij renditi në mënyrë historike dhe kronologjike etapat e gjenocidit serb në Kosovë, krimet e tmerrshme mbi shqiptarët dhe dëbimin e 1 milion shqiptarëve nga Kosova ku edhe pas 26 viteve mbas gjenocidit, ende Serbia nuk është ndëshkuar për gjenocidin dhe drejtësia ndërkombëtare nuk ka dhënë drejtësi për organizatorët dhe orkestruesit e krimeve serbe, tha ndër të tjera ambasadori Reka. Z.Mark Gjonaj deklaroi se Serbia në Kosovë nuk ushtroi vetëm një genocid por një fushatë spastrimi etnik për të cilën Serbia jo vetëm që nuk u ndëshkua kurrë por kriminelët në Serbi u nderuan si heronj. Z. Gjonaj theksoi gjithashtu se po punohet që të ndërtohet një muze në New York për të përkujtuar krimet serbe në Kosovë.
Z.Ramë Manaj theksoi se kjo ekspozitë fragmentare ekspozon trishtimin dhe tmerret, dhimbjen dhe dramat që la pas gjenocidi serb në Kosovë dhe mbi të gjitha Fotoekspozita është një thirrje për drejtësi. Kjo sakrificë e dhimbje njerëzore tregon çmimin e lirisë së Kosovës, tha ndër të tjera z.Manaj. Publicisti Luz Thaçi në fjalën e tij ekspozoi raportin mes Serbisë kriminale dhe Kosovës paqedashëse dhe theksoi se është detyrë institucionale e institucioneve shtetërore të Kosovës për të kërkuar drejtësi dhe ekspozuar masakrat e mizoritë shtetërore serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Z.Thaçi apeloi që institucionet në Shqipëri dhe Kosovë të padisin Serbinë për gjenocidin dhe krimet e kryera në Kosovë.
Zonja Xhemile Morina shpjegoi për të pranishmit historinë e fotografive të ekspozitë duke na njohur me përmbajtjen historike dhe dramatike të çdo momenti tragjik të ekspozuar për pjesëmarrësit. Z. Ramë Manaj në emër te Asociacionit të Shoqatatave të zhdukurve nga lufta në Kosovë të viteve 1998-99, në shenjë nderimi për angazhimin në këtë fushatë nderoi me mirënjohje: z.Ted Goldstein, z.Mark Gjonaj, z.Haxhi Dauti, z.Haxhi Berisha dhe z.Ramadan Gashi. Përveç se në New York dhe Philadelphia, fotoekspozita për të përkujtuar shqiptarët e masakruar nga gjenocidi serb, më herët ka pasur sukses në: Bruksel, Zagreb, Bursa (Turqi), Londër, Gjenevë, Vjenë, Linz, dhe Hagë.