MPB dhe Prokuroria që nga mëngjesi i sotëm kanë kontrolluar dokumentacionin në Ministrinë e Ekonomisë për diskotekën “Puls” nga Koçani ku gjatë natës ndodhi tragjedia e tmerrshme.
Dokumentet zyrtare nga regjistri i Ministrisë së ekonomisë tregojnë se licenca e fundit ishte nga data 13 mars 2023 që ishte e vlefshme për një vit.Ministri Toshkovski i konfirmoi informacionet që i publikoi TV21 gjatë ditës se diskoteka nuk ka pasur licencë legale për punë por ka pasur licenca të falsifikuara të marra në 2024-tën, siç tha, me dyshim se i ka marrë në mënyrë të korruptuar. Ka persona të arrestuara nga Ministria e ekonomisë. Për informacionet se licencat i kanë dhënë për 7000 euro, Toshkovski thotë:
TV21: Ministër përmendët korrupsion, rezultat i korrupsionit dhe përmendët licenca të falsifikuara që janë lëshuar. Tashmë me të madhe po spekulohet për atë që fola me disa njerëz në Koçan, për këtë licencë janë paguar 7000 euro ryshfet. A keni njohuri për pagesa të caktuara dhe kujt ua kanë paguar, përkatësisht cilave nga institucionet?“E thashë atë që kisha ta them. Po, të sakta janë supozimet, sipas informacioneve që i kemi deri tani, se edhe në këtë rast si në shumë raste të tjera kemi ryshfet dhe korrupsion. Kemi bazë për dyshim se ka ryshfet dhe korrupsion edhe në këtë rast. Tani do të ketë emër dhe mbiemër, do të ketë përgjegjësi”, shtoi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.Diskoteka ishte në pronësi private dhe kishte ndërruar pronar me kalimin e viteve. Kompania ekziston nga 20 maji 2020 dhe është themeluar me një investim prej 300.000 denarëve, rreth 5.000 euro. Llogaria është bllokuar tashmë 278 ditë nga një bankë komerciale në vend, ndërsa ka edhe bllokadë të arkëtimit të detyrueshëm nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Ka 8 të punësuar, ndërsa viti i fundit, 2023, ka pësuar humbje në punë prej 3000 eurove.Emri i kompanisë me të cilën figuron në DAP është “MMMM KAFE DOOEL Koçan”, dhe përveç diskotekës kishte edhe kafene.Mësojmë se inspektorët tatimorë për herë të fundit e kanë vizituar diskotekën në dhjetor të vitit të kaluar. Ata identifikuan parregullsi fiskale. I është vënë gjobë prej 300 eurove për personin juridik dhe 50 euro për personin përgjegjës, për mos lëshim të faturave fiskale. Gjithashtu mësojmë se kompania ka borxh prej rreth 230.000 denarëve për TVSH dhe ka vendim për arkëtim të detyrueshëm nga DAP.