Janë të rralla familjez malësore shqiptare të së njëjtës fushë krijimtarie , sikurse është familja e Zef Tomë Hasurit Dedivanaj nga Trieshi (Malësi e Madhe) , e cila i kanë dhënë shumë folklorit shqiptar. Vëllezërit e njohur të skenave kombëtare dhe ndërkombëtare – Fran, Nikollë dhe Nosh Zefi u lindën dhe u rritën në një familje të njohur jo vetëm për trimëri në mbrojtjen e tokave shqiptare, por edhe për dashurinë e madhe të trashëgimisë popullore dhe interpretimit të pasurisë kulturore-folklorike të shqiptarëve.
Trashëgim nga familja
Babai i tyre, Zef Toma ( 1882-1975), i njohur si instrumentist e këngëtar i shkëlqyer në fshat e krahinë dhe si vajtor ( britmëtar) i dalluar, ishte ai që i pari u mëkoi fëmijëve të vet dashurinë për krijimtarinë popullore, respektivisht për lahutën, fyellin dhe zumaret. Dhe ashtu , si pa kuptuar fare, dashuria për këto tri instrumente muzikore burimore, u bë pjesë e pasioneve të vegjëlisë, sidomos në mjedisin baritor të vendlindjes. Aq u mishëruan me këto vegla të lashta muzikore, saqë nuk njohën plakjen as largimin nga magjia e melodive të tingujve dhe ritmeve të derdhur nga këto instrumente. Madje këtë mjeshtri të luajtjes në instrumente muzikore e përcollën te pasardhësit e tyre, duke u bërë kështu brezi i tretë i instrumentistëve brenda një familjeje , i cili zotëroi në mënyrë të përsosur artin e vet.
Shkëlqimi në festivale folklorike mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.
Vëllezërit Dedivanaj kanë ndërtuar një karrierë të pasur dhe shumëdimensionale si instrumentistë virtuozë në lahutë, fyell dhe zumare në skena të ndryshme brenda dhe jashtë shtetit, në festivale , në logje, dasma, gëzime familjare, festa, ahengje e tubime të tjera popullore në Malësi afro një gjysmë shekulli. Ata janë rritur me tingëllimën e veçantë të kopesë së deleve, me tingujt e instrumenteve tradicionale popullore dhe natyrshëm, çdo njëra prej tyre hyri në gjakun tyre, në shoqërinë e përjetshme të freskisë nga flladi i bjeshkëve të larta të majës së Kazhenikut të Trieshit, të cilat në shtëpinë – kullë të tyre, hynë brenda shpirtit të tyre , duke bërë që ata të harrojnë gjithçka. U futën thellë brenda tingullit, muzikës, legjendës. Duke ndierë çdo frymëmarrje, u bënë pjesë e këtyre veglave autoktone muzikore. U pëlqente lahuta, fyelli e zumarja sepse në këto instrumente, siç thoshin ata, gërshetohen të gjitha zërat e natës. Kështu ata gjithë jetën jetuan me artin, që është qielli, ajri, toka, malet, deti e gjithçka tjetër, i cili mbart egoizëm, rivalitet midis grupeve, por në anën tjetër ka edhe forcën madhore.
Laureatë të Festivalit të Opatisë në Kroaci
Meloditë e këtyre mjeshtërve të shquar të instrumenteve popullore muzikore frymore kanë qenë shumë të preferuara për dëgjuesit ( publikun) shqiptarë, por edhe joshqiptarë. Dueti trieshian, Fran Zefi dhe Nikollë Zefi Dedivanaj , ka prekur majat, përtej të cilave pothuaj nuk mund të shkojë ekzekutimi me pasion i tyre, në Festivalin e Opatisë në Kroaci në vitin 1951 ( më i njohuri i asaj kohe në ish- Jugosllavi). Këta dy artistë trieshianë në duet, të veshur me kostume tradicionale shqiptare (një pasuri me vlera kombëtare e ndërkombëtare), që përfaqësuan shqiptarët e Malit të Zi, me interpretimin e tyre virtuoz dhe tejet origjinal në fyell u vlerësuan ( shpërblyen) nga juria e festivalit me vendin e parë. Zëri i fyejve të këtyre bilbilave shqiptarë nga ky festival kaloi kufijtë e ish-Jugosllavisë dhe arriti në disa qytete evropiane, madje edhe në Londër, ku gjendet dhe ruhet incizimi i interpretimit të tyre me fyell. Për suksesin e tyre në skenën e artit muzikor – folklorik shkruan disa gazeta shqiptare dhe të huaja të kohës. Kush do ta mendonte që artistët trieshianë do të mahnitin shqiptarët dhe popujt e tjerë në këtë festival? Interpretimet e tyre me fyell dhe zumare janë shoqëruar me këngë dhe valle shqiptare, por ai shpesh ka ekzekutuar improvizime të lira në dasma, festa e ahengje familjare.
Ah, ju lumtë !
Vëllezërit Dedivanaj, që kanë bërë emër në ekzekutimin në fyell dhe zumare, për mendimin tim përbëjnë trinomin e mjeshtërve të mëdhenj trieshianë, malësorë-shqiptarë të interpretimit me këto instrumente muzikore të thjeshta në dukje, por magjepse me melodi. Kudo janë paraqitur në skenë apo jashtë saj mallëngjyen publikun artdashës. Këta mjeshtër të shquar të instrumenteve popullore muzikore morën shumë lëvdata ( fjalë të mira) , si : “ Ju lumtë!”, “ Mrekullueshëm”, “ Shumë bukur” , “ Na kënaqët shpirtin”, “ Na kujtuat jetën baritore”, “ Jeni legjendë e gjallë e fyellit” etj.
Të përjetshëm përmes instrumenteve frymore
Trieshianët i quajnë tre mbretër, tre kryemjeshtër, tre interpretues tejet virtuozë dhe të pasionuar. Të tre këta interpretues kanë krijuar origjinalitetin e interpretimit autonom. Dy vëllezërit Hasuraj- Frani dhe Nikolla kanë vdekur. Vëllai i parë Frani është ndarë nga jeta në vitin 1998, në moshën 79-vjeçare. Vëllai i dytë Nikolla ka kaluar në amshim pesë vite më vonë, në vitin 2003, në moshën 82 – vjeçare. Vëllai i tretë Noshi, që ka luajtur për mrekulli në fyell dhe në zumare të punuara nga vetë ai është 86 vjeç dhe dallohet për vitalitetin e tij në këtë moshë të thyer. Ai sot është ndër të paktët, mos i vetmi, interpretues i zumares në Malësi të Madhe.
Pjesëtarët e familjes Hasuraj me tradita muzikore kanë lanë gjurmë të pashlyera në fushën e muzikës popullore shqiptare përmes instrumenteve frymore. Emri i tyre do të mbetet përjetësisht në listën e instrumentistëve të shquar të kombit tonë. ( Koha javore).