Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, ka publikuar raportin financiar i cili thyen rekorde, është shumë pozitiv dhe i qëndrueshëm.
Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e shoqatës sonë, ku në këtë mënyrë, me forca të përbashkëta kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të bashkimit kombëtar. Ka shkruar Dedivanaj.
Postimi i plotë:
Bazuar në statutin dhe programin e shoqatës “Jehona e Malësisë”, që promovojnë transparencën, çiltërsinë, hapjen dhe gjithëpërfshirjen, ju informojmë se raporti financiar vjetor i shoqatës sonë, jo vetëm që është pozitiv dhe i qëndrueshëm, por ka arritur nivelet rekord-thyese, çka tregon sinqeritetin, kujdesin, vëmendjen, përkushtimin tonë atdhetar dhe menaxhimin e zellshëm të shoqatës sonë.
Fakti që kanë hyrë $414,735.08 në llogarinë tonë dëshmon profesionalizmin, si dhe udhëheqjen e thellë nga ideali kombëtar tek çdo anëtar i shoqatës sonë, duke filluar nga më i riu e deri tek më i moshuari, që paraqet një motivim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne për të punuar dhe vepruar në frymën e bashkimit dhe unitetit në dobi të komunitetit shqiptar në SHBA, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e vendlindjes sonë.
Çdo cent nga ky fond është dhe do të shpenzohet vetëm për realizimin e kauzave tona kombëtare, përmes manifestimeve, aktiviteteve dhe organizimeve tona, ku në fund të këtij muaji kemi planifikuar pikërisht një event të tillë atdhetar, që është një Mbrëmje Vallëzimi Babë-Bijë.
Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e shoqatës sonë, ku në këtë mënyrë, me forca të përbashkëta kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të bashkimit kombëtar!
Ky është vetëm fillimi!
Më poshtë mund të shikoni transaksionet e përgatitura nga anëtarët përgjegjës të sektorit administrativ dhe financiar të shoqatës sonë:
1. Hyrja e shumës në llogarinë bankare $414,735.08
– Ngritja e fondeve të përgjithshme vjetore $150,806.02
– Ngritja e fondeve për shtatoren e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në bashkëpunim me shoqatat tjera $180,000.00
– Eventi “Babë dhe Bijë” $21,046.00
– Donacione të tjera $32,800.00
– Shkëmbime transaksionesh në bashkëpunim me të tjerët para rimbursimit $30,083.06
2. Shpenzimet, bilanci si dhe sqarimi i transaksioneve
– Kostoja e shtatores së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut $177,499.05
– Rimbursimi i shoqatave në fjalë nga bilanci i ndërtimit të shtatores së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut $2,500.95
– Donacione dhe ndihma të ndryshme $42,011.00
– Shpënzimet administrative $18,587.47
-Shkëmbime transaksionesh në bashkëpunim me të tjerët mbas rimbursimit $30,083.06
– Shpenzime të tjera për realizimin e eventeve dhe organizimeve të ndryshme $28,988.07
– Bilanci momental në llogarinë bankare $115,065.48
Për çdo pyetje në lidhje me transaksionet, depozitat, shpenzimet dhe informacione më të hollësishme, mund të kontaktoni anëtarët përgjegjës të sektorit administrativ dhe financiar nga faqja e internetit https://jehonaemalesise.org