Sot përmbyllëm punimet e projektit për përforcimin e kapaciteteve administrative në nivelet qendrore dhe lokale, me qëllim zbatimin efektiv të legjislacionit evropian në fushën e ndotjes industriale. Ky projekt, me vlerë prej një milion eurosh dhe kohëzgjatje prej 24 muajsh, u realizua në bashkëpunim me Republikën e Greqisë, përmes Qendrës për të Drejtën Ekonomike Ndërkombëtare dhe Evropiane.
Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, dhe ambasadorja e Republikës së Greqisë, Sofia Filipidu, shpreha falënderimet e mia për Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në përgatitjet për anëtarësimin në BE.
Direktiva e re për emisionet industriale është instrumenti kryesor për parandalimin e ndotjes nga aktivitetet industriale të mëdha. Ajo ndjek një qasje të integruar, me fokus në reduktimin e ndotjes në të gjitha aspektet: ajër, tokë, ujë, përdorim burimesh dhe energjie, si dhe menaxhimin e mbeturinave. Gjithashtu, përcakton parimet bazë për dhënien e lejeve dhe kontrollin e instalimeve industriale, duke u bazuar në zbatimin më rigoroz të teknikave më të mira të disponueshme.
Kjo direktivë e re zëvendëson shtatë direktiva të mëparshme dhe vendos kushte më të rrepta për funksionimin e instalimeve industriale. Në kuadër të projektit, u përgatitën legjislacioni parësor dhe sekondar, përfshirë Ligjin për Kontrollin e Emisioneve Industriale dhe aktet nënligjore që burojnë prej tij. Po ashtu, u forcua kapaciteti i administratës qendrore dhe lokale për të zbatuar dispozitat e reja ligjore, përmes manualeve, udhëzimeve praktike dhe trajnimeve specifike.
Jam i bindur se rezultatet e këtij projekti do të kontribuojnë në zhvillimin pozitiv të vendit tonë, duke na afruar më shumë me standardet evropiane në mbrojtjen e mjedisit.