AKTUALE

Basha pret Ali Ahmetin: Koordinimi i faktorit shqiptar, jetik për stabilitetin dhe integrimin europian

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, ku diskutuan mbi situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe rajon.

Basha vlerësoi rolin e Ahmetit në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Ai theksoi rreziqet që kërcënojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ndikimet serbo-ruse, duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si garanci për paqen dhe bashkëjetesën ndëretnike.

“Çdo cenim i të drejtave të shqiptarëve përbën një kërcënim për stabilitetin rajonal,” tha Basha, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të faktorit shqiptar në mbrojtjen e interesave kombëtare.

Postimi i plotë i Bashës:

Kisha kënaqësinë të prisja Kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin, një personalitet me kontribut të shquar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe me një rol kyç në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe avancimin drejt integrimit europian.

Diskutuam për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe rajon.

Duke u ndalur tek zhvillimet gjeopolitike, lufta në Ukrainë dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Europës, administratën e re në SHBA dhe një rikonfigurim të lidershipit në BE vende të ndryshme të unionit, theksuam domosdoshmërinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të faktorit shqiptar për mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare në rajon.

Dëgjova me vëmendje shqetësimet e zotit Ahmeti lidhur me rreziqet që i kanosen të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përpjekjet për ta shndërruar vendin në një satelit të interesave serbo-ruse përmes agjentëve të tyre, të cilët aktualisht mbajnë pozita të larta në kabinetin qeveritar.

Çdo cënim i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit mbetet e vetmja garanci për bashkëjetesë ndëretnike dhe rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Të drejtat e shqiptarëve janë fituar me sakrifica të mëdha dhe gjaku i derdhur për to nuk mund të nëpërkëmbet nga askush. Popujt e rajonit duhet të ndërtojnë të ardhmen mbi baza të bashkëjetesës dhe respektit reciprok, duke shmangur kthimin pas në konflikte dhe ndasitë e të shkuarës.

Banner

Related posts

Nagavci paralajmëron prindërit: Do të përballeni me ligjin nëse shpenzoni mjetet për blerjen e librave për diçka tjetër

admin

Prokuroria demantoi informacionet se Drin Ahmeti nuk do të ndiqet penalisht për rastin me fishekzjarrët

Gjyla Halili

Aksion policor në Dobërdoll, arrestohen shtatë shtetase të huaja

Gjyla Halili