AKTUALE

Fjalimi i kryetarit të shoqatës “Jehona e Malësisë” , Agron Dedivanaj me rastin e vizitës së Kryebashkiakut të Pukës Rrok Dodaj, në Miçigan

I nderuari Kryebashkiak i Pukës, z. Rrok Dodaj,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të Bashkisë Pukë,
Të nderuar veprimtarë kombëtarë dhe përfaqësues të shoqatave atdhetare,
Të nderuar të pranishem,
Zonja dhe zotërinj.

Kam kënaqësinë t’ju përshëndes, si në emrin tim ashtu edhe në emër të shoqatës “Jehona e Malësisë”, ku ju uroj mysafirëve dhe miqve tanë, vëllezërve dhe motrave nga shteti ynë amë, një mirëseardhje të ngrohtë këtu në komunitetin shqiptar në SHBA me shpresë të sinqertë që në të ardhmen të kemi sa më shumë vizita dhe tubime të tilla.
Është gjithmonë një nder i jashtëzakonshëm për ne kur kemi mundësinë të zhvillojmë një bisedë vëllazërore me delegacione nga shtetet tona shqiptare, sepse në këtë mënyrë jo vetëm punojmë për afrimin, rrjetëzimin dhe lidhjen e shqiptarëve, por edhe për faktorizimin ndërkombëtar të tyre, duke avancuar me hapa vendimtar drejt realizimit të idealit të bashkimit. Shoqata “Jehona e Malësisë” në programin dhe agjendën e saj të aktiviteteve, që nga themelimi i saj, ka theksuar qartë bashkëpunimin dhe partneritetin me institucionet dhe përfaqësuesit e popullit tonë, si nga vendlindja dhe shteti amë, ashtu edhe nga të gjitha anët e botës ku jetojnë shqiptarët.

Ne udhëhiqemi nga ideja e unitetit dhe besojmë se bashkëpunimi mund të arrihet më së miri përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe angazhimit të të gjithëve ne. Sot me krenari mund të them se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikes ka arritur nivele uniteti si asnjëherë më parë, unifikimi është i dukshëm në çdo cep, të gjitha veprimet tona janë të koordinuara, sytë tanë janë të përqendruar në zhvillimin e kombit shqiptar dhe entuziazmi atdhetar është i pranishëm tek çdo njëri prej bashkatdhetarëve tanë. Ne, së bashku promovojmë kërkesat dhe synimet tona edhe në tempullin e demokracisë globale, në Uashington, dyert e të cilit janë gjithmonë të hapura për popullin shqiptar!

Ne, shoqatat atdhetare shqiptare në SHBA, kemi punuar dhe po punojmë së bashku për të realizuar projekte kombëtare, për të arritur progres dhe mirëqenie ne komunitetin tonë, si dhe për të nxitur zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të atdheut tonë. Një nga shembujt më konkretë të bashkëpunimit tonë të shkëlqyer është vendosja e përmendores së Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Tuz, në Malësi, që më së miri simbolizon aspiratat tona drejt idealit të bashkimit kombëtar!

Të nderuar mysafir nga shteti amë, jemi shumë të kënaqur që jeni të pranishëm këtu në mesin tonë. Këtu ju presin krahëhapur shqiptarët e bashkuar, këtu ju pret komuniteti ynë që ruan dhe kultivon me përkushtim vlerat kombëtare, traditën, kulturën dhe identitetin shqiptar, këtu ju pret gjaku juaj! Le të mblidhemi gjithmonë në atmosfera të tilla kombëtare dhe patriotike, dhe le të ketë sa më shumë mbledhje si kjo. Sa më shumë të punojmë dhe të veprojmë së bashku, aq më afër do të jemi realizimit të idealit të bashkimit dhe unitetit kombëtar!

Së bashku, këtu dhe kudo!
Faleminderit!

Agron Dedivanaj,
Kryetar i Shoqatës “Jehona e Malësisë”

Related posts

Nagavci paralajmëron prindërit: Do të përballeni me ligjin nëse shpenzoni mjetet për blerjen e librave për diçka tjetër

admin

VLEN pyet: A do të përfundojë BDI-zimi i gjyqësisë në listën e zezë?

Gjyla Halili

Bajram Rexhepi: Do ta mbrojmë prononën publike dhe nuk do të jemi ndërmjetësues i saj

Gjyla Halili