Bëjmë thirrje të qartë dhe të hapur deri te lidershipi i Bashkimit Demokratik për Integrim që të marrë masa konkrete dhe të dukshme për të ruajtur partneritetin strategjik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dëshmojë se shqiptarët nuk do të mbahen peng i krimit. Kërkojmë që BDI të marrë vendim formal për përjashtimin e Artan Grubit nga anëtarësia partiake.
Deklaratat e deritanishme të z. Ali Ahmeti dhe z. Bujar Osmani për parimin dhe transparencën kanë mbetur vetëm fjalë boshe. I bëjmë thirrje që të ndërmarrin hapa konkretë që do të dëshmojnë se premtimet dhe angazhimet e tyre janë reale dhe se nuk do të lejojnë asnjë dyshim për veprimtari kriminale apo të pandershme që të njollosë reputacionin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Presioni publik është real dhe legjitim – qytetarët kërkojnë vepra konkrete, jo fraza boshe. Nëse BDI dëshiron të konfirmojë seriozitetin e angazhimeve të saj për sundimin e ligjit dhe integritetin e përgjithshëm shoqëror, është urgjentisht e nevojshme të tregohet se nuk do të tolerojë aktivitete të dyshimta nga radhët e saj. Përjashtimi i Artan Grubit nga partia është një lëvizje e domosdoshme për të dërguar një mesazh të qartë se partia dhe drejtuesit e saj janë të sinqertë në angazhimin e tyre për respektimin e ligjit dhe një partneritet të fortë me SHBA-të. Gjithçka tjetër është dëshmi e qartë se po mbulojnë dhe mbrojnë mikun e tyre Artan Grubin.
VLEN qëndron pas të gjitha nismave që do të çojnë në përgjegjshmëri dhe përgjegjësi më të madhe të aktorëve politikë në vend. Besojmë se me veprime urgjente dhe të vendosur, BDI-ja do të tregojë se fjalët e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit nuk janë premtime boshe, por se ata vërtet qëndrojnë prapa parimeve të tyre të drejtësisë, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesave strategjike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.