Sot, 3 Janar 2025, në xhumanë e parë të Tre Muajve të Bekuar, në Xhaminë e Sahatit në Gostivar, në një ambient të mbushur përplot përshpirtshmëri, ku fjala i takoi Kur’anit Fisnik, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Muftiu i Gostivarit, Mr. Sabahudin ef. Zendeli, kryetari i komunës, Dr. Valbon Limani, atashehu për çështje fetare pranë ambasadës Turke, H. Mustafa Bodur, drejtorët e rijasetit të BFI – së, të mirëpritur nga Hatibi i kësaj xhamie, Hfz. Jakup ef. Jakupi, mori pjesë në programin fetarë “Rrezatime Kur’anore”.
Programi, kryefjalë e së cilës ishte Kur’ani famëlartë, u hap me fjalën mirëseardhëse të Muftiut të Gostivarit, Mr. Sabahudin ef. Zendeli.
Fjala e rastit padyshim që i takoi kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe më pas në emrin e tij personal dhe në emër të Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së dhe institucioneve të saja, uroi të gjith besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të Tre Muajve të Bekuar.
Në vazhdim, Reisul Ulema foli për vlerën dhe rëndësinë e tre muajve të bekuar, duke theksuar se besimtari është i vetëdijshëm se këta dy muaj të cilët i paraprijnë Muajit të Bekuar të Ramazanit, janë mundësi e artë për kalitje shpirtërore dhe afrim drejt Allahut Fuqiplotë përmes leximit, mësimit dhe ndëgjimit të fjalës së Tij. Mu për këtë, Bashkësia Fetare Islame në bashkëpunim me Muftininë e Gostivarit, këtë vit vendosi që para besimtarëve t’i sjell lexuesit më të bukur të fjalës së Zotit, me shpresë që këta zëra të mrekullueshëm të kenë depërtuar thellë në zemrat dhe shpirtërat tanë.
Më pas fjala u takoi hafizëve të cilët me zërat e tyre të mrekullueshëm rrënqethën zemrat e besimtarëve duke bërë që të ngriten në nivelet më larta të përjetimit shpirtërorë të fjalës së Allahut Fuqiplotë.
Lexuesi i parë i kësaj mbrëmje ishte Mr. Elyesa Asani, drejtor i institut të hifzit “Hasan Zendeli” – Gostivar.
Lexuesi i dytë ishte Hfz. Egzon Ibrahimi nga Ferozaji i Republikës së Kosovës
Lexuesi i tretë dhe i fundit ishte Kurra Hafiz Erhan Mete, Imam dhe Hatib i Xhamisë Eyup Sulltan – Stamboll.
Në fund të programit u bë duaja e leximit të Kur’anit nga ana e Atashehut për çështje fetare pranë ambasadës së Republikës së Türkiyes në Shkup, Hfz. Mustafa Bodur.
Allahu ju bekoftë!