AKTUALE

Agron Dedivanaj: Viti 2024 – viti i realizimit të synimeve tona kombëtare – viti i përparimit drejt idealit të bashkimit!

Viti që po lëmë pas përfaqëson një nga vitet më të suksesshme, si për komunitetin shqiptar në Amerikë, ashtu edhe për atdheun tonë, Malësinë. Njëzëri dhe së bashku arritëm avancimin që të parët tanë e ëndërronin prej kohësh. Një nga qëllimet kryesore të të gjithëve ne, vendosja e përmendores së kryheroit kombëtar në Tuz, u arrit përmes partneritetit vëllazëror dhe bashkëpunimit të sinqertë ndërmjet shoqatave atdhetare shqiptare në SHBA dhe Komunës së Tuzit. Shoqatat atdhetare u bashkuan dhe vepruan unanimisht në favor të këtij qëllimi, i cili paraqet një udhërrëfyes se si duhet vepruar në vitin 2025, ku idealet tona kombëtare mund t’i arrijmë vetëm të bashkuar dhe në unitet!
Jam krenar që bashkatdhetarët tanë me shumë kënaqësi dhe vetëdije kombëtare i mbështetën të gjitha projektet tona, si nga aspekti monetar ashtu edhe në çdo mënyrë tjetër, dhe rezultatet janë të jashtëzakonshme, gjë që na tregon se bashkimi po afrohet çdo ditë e më shumë!
Dua të falënderoj përfaqësuesit e shoqatave atdhetare për bashkëpunimin e sinqertë, ku bashkëvepruam në çdo pjesë të projekteve tona të përbashkëta në frymën e respektit, transparencës, qartësisë dhe atdhedashurisë dhe për këtë gjë jam i sigurt se ky model veprimi do të jetë çelësi i suksesit në periudhën e ardhshme. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që dhuruan dhe mbështetën projektet tona, që mbështetën zhvillimin dhe lulëzimin e identitetit shqiptar, që mbështetën veten e tyre!

Të dashur bashkëkombas, ju uroj gjithë të mirat në vitin që po vjen. Qoftë viti 2025 vit i sukseseve të mëdha, begatisë, mirësisë dhe gëzimeve të njëpasnjëshme për të gjithë ju, qoftë viti 2025 vit i bashkimit kombëtar!

Related posts

Zgjedhjet lokale në Malësi – Deri në ora 19 kanë votuar 63,82%

admin

Mexhiti: Sot fillon rrënimi i perandorisë së kumarit

Gjyla Halili

Katica Janeva lirohet pjesërisht nga burgu për të punuar në një zyrë avokatie të djalit të saj

Gjyla Halili