Në seancën e parë parlamentare të vitit të ri, e cila sipas të gjitha gjasave do të mbahet më 10 janar, në rendin e ditës do të јetë interpelanca për zëvendëskryeministrat Izet Meџхiti dhe Ivan Stoilkoviq dhe për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni, për të cilët që në fillim të këtij muaji i dorëzoi grupi parlamentar i “Frontit Evropian”, transmeton Portalb.mk.
Në këtë seancë do të vihet në rend dite edhe interpelanca për deputeten dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rininë, Ilire Dauti.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se interpelancat do të futen në rend dite sipas Rregullores së Punës, nëse ka përgjigje do të vihen ashtu siç vijnë përgjigjet, nëse jo do të vendosen ashtu siç kanë ardhur.
“Do të punojmë sipas Rregullores së Punës. Çdo interpelancë diskutohet gjithë ditën, në fakt sa të paraqitur janë për të folur. Seanca mund të zgjasë, por deri në fund të ditës duhet votuar pas interpelancës specifike. Çdo interpelancë diskutohet për një ditë dhe në fund votohet për secilën”, ka thënë Gashi.
Sa i përket efektit të interpelancave, Gashi thotë se si instrument nuk ka asnjë pasojë juridike dhe nuk ka fuqi ekzekutive.
Është më shumë një mjet demokratik për diskutim politik rreth një teme, për një bartës të detyrës apo një person të zgjedhur dhe emëruar nga Kuvendi”, tha Gashi sot në një deklaratë për media.
Nga “Fronti Evropian”, kur i kanë dorëzuar interpelancat, kanë thënë se bëhet fjalë për punën e katër anëtarëve të Qeverisë dhe se janë pa legjitimitet etnik.
Për zëvendëskryeministrin Mexhiti, “Fronti Evropian” tha se ai është përgjegjës për keqmenaxhimin e situatave që po ndodhin në vend, përfshirë edhe marrëdhëniet ndëretnike.
Në shpjegimin që dhanë për interpelancën e dorëzuar për ministrin e Punëve të Brendshme Toshkovski dhe zëvendësin e tij Iseni, thuhet se në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në një mënyrë të paparë dhe mënyrë të pajustifikuar, duke penguar një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve.
Interpelancën, ndërkaq, për zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq, thanë se po e dorëzojnë për shkak të mosveprimit dhe mosdeklarimit të tij lidhur me ngjarjet në Kumanovë, kur u dogjën disa vetura dhe një dyqan i shqiptarëve. Stoilkovi1, në cilësinë e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, nuk arriti të respektojë dhe zbatojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Pas interpelancave të dorëzuara, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) thanë se nuk do të japin mbështetje, duke vlerësuar se nuk paraqesin zgjidhje të krizës në këtë moment dhe mund të nënkuptojnë ndarje të reja në baza etnike.