Sokol Paja
New York, 24 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në një ceremoni të veçantë nderoi luftëtarin e UÇK-së Hysni Kelmendin më “Mirënjohje” me motivacion: “Për kontributin e shkëlqyer në UÇK, si pjesëmarrës e luftëtar i dalluar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri e pavarësi, për trimëri, besnikëri e profesionalizëm, si këngëtar dhe promovues të vlerave kulturore kombëtare si dhe për kultivimin e vlerave më të çmuara atdhetare shqiptare”. Në darkën e Flamurit Kombëtar, me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të organizuar nga Federata Vatra më 22 Nëntor 2024, luftëtari e këngëtari Hysni Kelmendi i dhuroi Vatrës flamurin kombëtar shqiptar të përdorur në luftën e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1998. Ky flamur i shenjtë frymëzoi shqiptarët në betejat e lirisë, për çlirimin dhe pavarësinë e e Kosovës. Ky flamur i shenjtë falë luftëtarëve trima nuk ra kurrë në duart e serbëve dhe u mbrojt trimërisht me shpirtin e gjakun e lirisë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri e pavarësi është Lufta më e drejtë, më e pastër, më e ndershme në historinë moderne të kombit shqiptar. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra shpreh mirënjohje, nderim, respekt dhe falënderim të përzemërt për çdo luftëtar, hero, dëshmor e çlirimtar dhe përulet me nderim para jetës, sakrificës e veprës heroike për komb e atdhe. UÇK është historia dhe lavdia e kombit shqiptar. Mirënjohje përjetë.