Deputetja e ASH, pjesë e Frontit Europian, Ilire Dauti ka komentuar tërheqjen e Propozim ligjit për arsim të mesëm, ku mes tjerash parashihej që të vlerësohet njohja e gjuhës maqedonase nga ana e drejtorëve të shkollave, përcjell TV21. Dauti thotë se propozim ligji ishte në kundërshtim me kohezionin etnik në vend.
Padyshim jam e lumtur që u kuptua që gjërat nuk ndërtohen nga kulmi, por duhet të ndërtohen nga baza dhe besoj që kjo ka qenë arsyeja që është tërhequr ligji. Kërkova fjalë për të shprehur kënaqësinë që kemi normal si deputetë të Frontit Europian, por mbi të gjitha edhe si përfaqësues të qytetarëve të cilët këto ditë poashtu po aq sa ne kanë qenë të shqetësuar me njërin nga propozim ligjet i cili ishte pjesë e debatit publik, por edhe brenda Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. E kam fjalën për ligjin për arsim të mesëm i cili në disa pika shkon në kundërshtim me kohezionin ndëretnik që duhet ta kemi dhe respektin reciprok. Prandaj unë e përshëndes këtë kthjellim të Qeverisë, të Ministrisë për Arsim dhe Shkencë dhe padyshim dua të them që edhe në të ardhmen do të duhet që ligjet të cilat janë të karakterit të kësaj natyre, por edhe të ligjeve të tjera do të duhet të përmbajnë një debat shumë më të gjerë ashtu që në fund të fundit të gjithë ato ligje të cilat sillen nga të gjithë ne të jenë në shërbim të gjithë qytetarëve”, tha Ilire Dauti, Aleanca për Shqiptarët – Fronti Europian.