AKTUALE

FEDERATA “VATRA” DHE SHTËPIA BOTUESE “ONUFRI” PROMOVUAN LIBRIN “POROSIA E KULLËS” NGA DR. PASHKO CAMAJ

Sokol Paja

New York, 8 Dhjetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe shtëpia botuese “Onufri” promovuan te Qendra Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York romanin historik e psikologjik të Dr. Pashko Camaj “Porosia e Kullës”. Me pjesëmarrjen studiuesve, gazetarëve, shkrimtarëve, diplomatëve, aktivistëve, veprimtarëve e patriotëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepra e Dr. Pashko Camaj bashkoi në një festë të librit shqip patriotët shqiptarë në New York për të nderuar veprën dhe suksesin e një prej përfaqësuesve më dinjitozë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Pashko Camaj. Një roman me vlera të larta kulturore, stilistike e gjuhësore, “Porosia e Kullës” vjen para lexuesit shqiptaro-amerikan si një “stuhi” letrare, artistike, emocionale dhe historike. Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës Dom Pjetër Popaj në fjalën përshëndetëse u shpreh se “Porosia e Kullës” është një libër për çdo shqiptar të mërguar që ndjehet krenar për historinë familjare e personale, sukseset e rrugëtimin historik dhe veçoi kontributin e Dr. Pashko Camaj e angazhimin e tij në Kishën Katolike, Federatën Vatra dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjërë. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te një analizë shpirtërore e trajtimit letrar e artistik të librit të Dr. Camaj dhe u ndal te ndenja e krenarisë për arritjet dhe punën e shkëlqyer të Dr. Pashko Camaj si kërkues shkencor dhe sekretar i Federatës Vatra. Studiuesi Prof. Primo Shllaku e quajti librin “Porosia e Kullës” një roman dokumentar me vlera të veçanta filologjike ku Dr. Camaj dëshmon një talent të vërtetë prej shkrimtari që kontribuon në kujtesën kolektive si asht i një kombi. Gazetari dhe shkrimtari Lazer Stani u shpreh se “Porosia e Kullës” është një libër për të vërtetën jetësore, për jetën e vërtetë shqiptare, një thesar trashëgimie shpirtërore, rrëfime karakteresh e frymë autentike, një përshkrim i bukurive të atdheut ku mbi të gjitha veçohen vlerat e një familjeje të vërtetë shqiptare, tha ndër të tjera z.Stani. Historiani Gjon Ivezaj u fokusua te paraqitja e familjes tradicionale shqiptare e Dr. Pashko Camaj dhe veçori artistike të librit të rrëfimeve kronologjike e narrative. Aktivisti i komunitetit z.Nikollë Junçaj diskutoi rreth kontributit të malësorëve të mërgatës në letërsinë e sotme shqiptare dhe modelin e shkëlqyer të femrës shqiptare në romanin “Porosia e Kullës” ku femra është një institucion i shenjtë në familjen shqiptare. Poetja Vlora Ademi theksoi se libri “Porosia e Kullës” ka vlera të jashtëzakonshme njerëzore dhe emocionale pasi përmbledh përshkrime delikate dhe dinjitoze, libër që kultivon vlera kombëtare dhe identitare. Historiani Dr. Paulin Marku theksoi se libri është një histori suksesi, jeta krenare e dinjitoze plot ëndrra dhe suksese drejtë tokës së premtuar të patriotit Dr. Pashko Camaj. Politologu Akri Çipa gjatë kumtesës së tij u ndal në realizimin e aspektit personal të personazhit, marrëdhëniet etnike në Ballkan, rrëfimet e fëmijërisë, përfundimet universaliste të romanit. Studiuesi Çelo Hoxha u fokusua te rëndësia e kujtesës kolektive për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe tek memorizimi i dëshmive të shqiptarëve të persekutuar përgjatë viteve të diktaturës në Shqipëri. Pas romancierit Mëhill Velaj diskutoi Prof.Besim Muhadri rreth romanit historik, kulla si simbol i mikpritjes, qëndresës, trimërisë, besës e vlerave më të vyera shqiptare. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli zonja Rafaela Prifti u shpreh se libri është një metaforë e jetës së Dr. Camaj, një rrëfim bivalent i arrirë. “Pashko Camaj thotë se gjithë jeta e tij është e lidhur me rrugëtimin nga një vend në një tjetër. Vetë udhëtimi është metaforë e historisë së jetës së tij. Në historinë e tij Pashko është edhe protagonist, edhe rrëfimtar. Ky rrëfim është bivalent. Aty është lidhja me paraardhësit e tij sepse ashtu si ata, ai rrëfen historitë e të parëve, por është edhe vendosja e autorësisë, sepse ky rrëfim mban emrin e tij. Kjo jo vetëm është historia e tij, por atë e rrëfen ai vetë. Dhe kur rrëfimi është i yti atëherë historia bëhet e jotja dhe ti je i Zoti i saj. I rritur në rrethana ku fatet dhe jeta vendosen nga të tjerë – motiv që Dr.Pashko Camaj e përcjell shumë qartë që nga shkollimi deri në ushtri në vendlindjen e tij në Mal të Zi, dhe, më pas i ardhur në një vend të huaj për të gjetur veten si Amerika, të shkruash për jetën tënde është një akt me peshë të veçantë sepse nënkupton se historinë nuk do ta thonë më të tjerët por ti vetë. Ashtu si babai, gjyshi e stërgjyshi përpara tij ishin të zotët e kullës, Pashko është pjesë e asaj kulle por është tashmë në KULLËN e tij” tha zonja Prifti. Gazetari Virgjil Kule diskutoi rreth mesazhit universal të librit me një pasazh në anglisht rreth fuqisë hyjnore si udhëheqëse në jetën e shkrimtarit. Zonja Mimoza Ferraj diskutoi rreth vlerave njerëzore e familjare të Dr.Pashko Camaj dhe prindërve të tij: “Hallall, qumështi i nënës” dhe lexoi një pasazh emocional të romanit që perifrazoi lamtumirën e Pashko Camaj nga shtëpia e vendlindja e tij. Botuesi Bujar Hudhri në fjalën e tij shprehu respekt e mirënjohje për mërgatën shqiptare të Amerikës si mërgatë historike dhe theksoi se libri është shkruar me dashuri e dhembshuri për vendlindjen ku autori Dr. Pashko Camaj del nga personalja dhe jep mesazhe universale. Në fjalën përmbyllëse autori Dr. Pashko Camaj rrëfeu mes emocionesh pikënisjen e shkrimit të librit, arsyet e botimit të këtij romani historik, personalitetet që e kanë mbështetur dhe mbi të gjitha familjen e tij. Promovimi u mbyll me nënshkrimin e librave prej autorit Dr. Pashko Camaj dhe një koktejli të përgatitur nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra. Ky aktivitet i shkëlqyer kulturor e atdhetar më pjesëmarrjen e studiuesve më të shkëlqyer nga mërgata dhe trojet shqiptare tregoi për seriozitetin e Vatrës si udhëheqëse e aktiviteteve patriotike në mërgatën e Amerikës, vlerat e shkëlqyera të librit “Porosia e Kullës” dhe simbolikën e bashkimit të shqiptarëve në Vatrën shqiptare, Vatrën kombëtare, Vatrën atdhetare, në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve të Amerikës.
Federata Vatra dhe gazeta Dielli shprehin mirënjohje dhe falënderim për të gjithë pjesëmarrësit por në veçanti ndaj gazetarëve të përkushtuar të komunitetit shqiptar Halil Mula dhe Nazim Salihu ( Noli Tv) për ndjekjen dhe transmetimin e shkëlqyer e shumë profesional të aktiviteteve patriotike dhe atdhetare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Related posts

Edhe një yll shqiptar në qiellin e politikës australiane – Jim Memeti fiton mandatin e gjashtë në bashkinë Dandenong

Gjyla Halili

Kyuchyuk: Maqedonia e Veriut duhet të ndërtojë ura dhe jo mure me fqinjët

Gjyla Halili

MPB me detaje për disa parregullsi në vendvotime në Shtip dhe Shkup

Gjyla Halili