AKTUALE

Takimi i kryetarëve të parlamenteve, Gashi – Norlean në Stokholm

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi dhe delegacioni parlamentar i përbërë nga Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, realizuan takim me kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Suedisë, Andreas Norlean, me ftesë të të cilit vizita zyrtare në Stokholm po zhvillohet më 2 dhe 3 dhjetor 2024.
Kryetari dhe deputetët u pritën para Parlamentit Suedez nga kryeparlamentari Norlean me nderimet më të larta shtetërore dhe garda, pasuar nga prezantimi i shkurtër i historikut dhe punës së Riksdagut dhe takimi me kryetarin e Parlamentit dhe anëtarët e Komisioneve për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Riksdagut.
Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për nikoqirin e tij, si përfaqësues i lartë i vendit mik që ofron mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut përmes projekteve të shumta zhvillimore, duke theksuar veçanërisht mbështetjen për qëllimin strategjik të shtetit – anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Ai e përshëndeti themelimin e Grupit të Bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Kuvendin e Suedisë, si vazhdimësi e bashkëpunimit për zhvillimin demokratik ndërmjet dy parlamenteve, i cili u zhvillua nga viti 2020 deri në vitin 2024 dhe së bashku u vlerësua si shumë i suksesshëm, dhe shprehu besimin se dy grupet e bashkëpunimit do të jenë bazë e mirë për nxitjen e përbashkët proaktive të shkëmbimeve parlamentare dhe gjetjen e formave të reja të bashkëpunimit në të gjitha nivelet.
Kryeparlamentari Norlean theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale tashmë janë forcuar më tej përmes aleancës në NATO dhe shprehu mirënjohjen për ratifikimin e shpejtë në Parlament të marrëveshjes për anëtarësimin e Suedisë në Aleancë.

Anëtarët e dy delegacioneve shkëmbyen mendime dhe qëndrime për sfidat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe për ndikimin më të gjerë që ka agresioni rus ndaj Ukrainës në kontinentin evropian. Bashkëbiseduesit u pajtuan se ka hapësirë për të dyja vendet për të avancuar tregtinë dhe investimet, se mërgimtarët nga Republika e Maqedonisë së Veriut luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe se vizita të tilla janë shumë të dobishme për njohjen e ngjarjeve në të dyja vendet.

Related posts

Pendarovski: Do dal fitues, VMRO-DPMNE sabotoi të ardhmen euroatlantike

Gjyla Halili

Arsovska inspektoi trajnimin dhe vënien në funksion të fabrikës së dytë për kompostim efikas të mbeturinave organike

Gjyla Halili

Evenimenti kulturorë dhe tradicional në Malësi “Karnevali Koret 2023” do të mbahet në Tuz nga 18.02. – 21.02.2023.

admin