Gjon Gjokaj
I madh e i vogël, të qeshur dhe krenar me monumentin e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Malësinë e Madhe, në këtë pjesë të patjetersueshme të trollit arbëror.
Tuz, 28 Nëntor, 2024
Në praninë e qindra qytetarëve shqiptarë nga diaspora dhe trevat shqiptare, Diaspora Shqiptare e Malësisë së Madhe, në bashkëpunim me Forumin Shqiptar dhe Komunën e Tuzit, ka inauguruar shtatorën e Kryeheroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Tuz të Malësisë së Madhe. Kjo ceremoni u organizua në nderim të Ditës së 28 Nëntorit, përkatësisht Pavarësisë së Shqipërisë.
Kombi shqiptar u emancipua përmes Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, themeluesit të shtetit shqiptar dhe legjendës madhështore të mbrojtjes së civilizimit evropian!
Historia na mëson se njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë; ata jo vetëm që lanë emër me veprat e tyre ndër shekuj, por lanë një guxim të fortë për brezat që vijnë, duke treguar se si duhet dashur liria dhe atdheu. Pa të, Gjergj Kastriotin, sot nuk do të thirreshim shqiptarë.
Kjo ngjarje e madhe, që përjetësisht do të mbetët iniciativë e shoqatës atdhetare “Malësia e Madhe” – New York, më mbush me krenari të thellë që pata privilegjin të jem ideatori dhe nismëtari parësor i kësaj çeshje. Me krenon fakti qe si nënkryetar, se bashku me kryetarin e shoqatës Malësia e Madhe, Ejllo Berishaj, në vitin 2018 shpalosëm këtë ide para këshillit drejtuas dhe aktivistëve të dalluar të kësaj shoqate, që shtatorja e Gjergj Kastriotit si simbol i pavdekshëm i historisë dhe krenarisë sonë kombëtare të vendosej në qendër të Tuzit, ku u miratua njëzëri. Kërkesa më pas iu drejtua Komunës së Tuzit, dhe pastaj me përkrahjen e kryetarit Nikë Gjeloshaj, mori aprovimin e duhur. Sot, falë bujarisë dhe kontributit të malësorëve të SHBA-së, ne gëzojmë dhe festojmë realizimin e monumentit të Gjergj Kastriotit në Sheshin “Skënderbe” të Tuzit.
Kjo vepër nuk është thjesht një monument, por një simbol i përjetshëm i dashurisë për lirinë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Ajo dëshmon për shpirtin bujar dhe të papërkulur të malësorëve, të cilët nuk kursyen asgjë për të çuar përpara këtë çështje madhore kombëtare.
Monumentet dallohen jo vetëm nga përmasat dhe vlerat artistike, por edhe nga vendet ku vendosen! Prandaj, meritat dhe kritikat u takojnë organizatorëve përgjegjës, sepse përgjegjësia për këtë mision është e shenjtë dhe kërkon përkushtim të pandalshëm për ta ruajtur dhe për ta përcjellë këtë trashëgimi brezave të ardhshëm.
“Një komb që nuk nderon rrënjët dhe heronjtë e tij, humb shpirtin dhe drejtimin, dhe me to shkon drejt shuarjes.” Le ta ruajmë këtë monument si një simbol të përhershëm të unitetit, qëndresës dhe krenarisë sonë kombëtare, duke u siguruar që mesazhi i tij të frymëzojë të gjithë shqiptarët, sot dhe përjetë.
Vendosja e shtatores së Gjergj Kastriotit në sheshin e Tuzit është një pasurim identitar për Malësinë dhe është binjak me bustin e Skenderbeut që diaspora e Trieshit në SHBA vendosi vite më parë përballë shkollës fillore Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Triesh, të cilat së bashku do të mbeten përgjithmonë roje kombëtare në Malësinë tonë.
Statuja e Gjergj Kastriotit- Skëndebeu një vepër e derdhur në bronz nga skulptorët Ardian Pepa dhe Dylber Neziri nga Tirana, është dhuratë e diasporës malësore në Amerikë me vlerë prej $180,000!
Kjo arritje, përveç donatorëve, është arritur edhe falë angazhimit të kryetarëve të shoqatave malore në SHBA;
Senad Lulanaj – Malësia e Madhe, Nju Jork
Nrekë Gjolaj – Malësia e Madhe, Miçigen
Sherif Krniq – Malësia, Kaliforni
Agron Dedivanaj – Jehona e Malësisë, Miçigen.
Madhështinë e këtij ceremoniali e shtuan folësit e ndryshëm nga diapora dhe vendlindja, si dhe solistët e ndryshëm nga trevat shqiptare.
Urime Dita e 28 Nëntotrit -Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!
Rroftë Diaspora Shqiptare!
Rroftë Malësia e Madhe!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë liria dhe uniteti shqiptar!