AKTUALE

SHQIPTARËT NË STATEN ISLAND FESTUAN DITËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Sokol Paja

Staten Island, 23 Nëntor 2024 – Shqiptarët në Staten Island festuan 112 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Nën organizimin e shkëlqyer patriotik e atdhetar të shoqatës “Kraja”, “Besi” dhe “Muriqi”, me miq e të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare, shoqëruar me një koncert recital të fëmijëve të shkollave shqipe të këtyre shoqatave krajane “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip”, mbrëmja patriotike ishte një spektakël mbresëlënës për të gjithë pjesëmarrësit që nderuan ngjarjen më të shënuar në historinë moderne të shtetit shqiptar, pavarësinë e Shqipërisë.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetarja e shoqatës “Kraja” znj.Venera Gjenashaj u shpreh se kjo ditë shënon jo vetëm shpalljen e lirisë sonë, por shërben edhe si një kujtesë e qëndrueshmërisë dhe shpirtit të të parëve tanë që luftuan pa ndërprerë për të drejtat dhe sovranitetin tonë. Në këtë frymë uniteti shoqata “Kraja”, “Muriqi” dhe “Besi” janë bashkuar për të festuar kulturën tonë të pasur, vlerat tona të përbashkëta dhe vendosmërinë tonë të palëkundur për të mbështetur idealet e pavarësisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare. Na frymëzoftë kjo ditë për të punuar krah për krah, duke nxitur ndjenja krenarie për trashëgiminë tonë dhe duke shprehur përkushtim e pa lëkundur për lirinë e kombit tonë, u shpreh znj.Gjenashaj.

Kryetari i shoqatës “Besi” z.Sejdin Xhaferaj në fjalën e rastit deklaroi se kjo natë është e veçantë për të gjithë shqiptarët, dhe sidomos për rajonin tonë, sepse na ofron mundësinë të tregojmë traditat tona dhe t’i mësojmë fëmijëve tanë të jenë krenarë për rrënjët e tyre. Nuk është thjeshtë një natë me këngë dhe valle, por një moment për të ndarë krenarinë tonë për kulturën dhe historinë që na bashkon si një komunitet i fortë, theksoi z.Xhaferaj. Takimin festiv e përshëndeti edhe këshilltari i shoqatës Muriqi, z.Xhevat Vela.

Pas fjalimeve zyrtare mbrëmja festive në nder të pavarësisë së Shqipërisë vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me programin artistik të shkollave shqipe “Mëso Shqip” dhe “Fol Shqip”. Fëmijët e shkollës “Mëso Shqip” në Staten Island, të përgatitur nga mësueset e gjuhës shqipe Arlinda Sukaliq dhe Merita Gjokaj, Grupi Barbana, të përgatitur nga koreografi Sebastian Tinaj, shkolla “Fol Shqip” në Queens, të përgatitur nga mësueset e gjuhës shqipe Nevila Kraja dhe Fatbardha Dibra, si dhe grupi i valltarëve të shkollës “Fol Shqip,” të përgatitur nga Amela Xhaferaj, Aylla Hoxha dhe Miranda Murataj dhuruan shumë emocione me performancën e shkëlqyer artistike e patriotike. Alberije Hadërgjonaj, Ylli Demaj dhe Taulant Bajraliu ekzaltuan me këngë patriotike të gjithë të pranishmit.

Programi artistik: 1. Adam Lekperi dhe Gentjan Gjeqbritaj– poezi kushtuar “Flamurit”.
2. Neilla Asanaj– poezi “O Flamur i dashur”. 3.Grupi “Barbana”, moshat 14 deri 22, me “Vallja e Krajes”, koreografuar nga Sebastjan Tinaj. 4. Grupi Barbana me moshat 5 dhe 6 vjeçe “Vallja e Vogëlushëve”, koreografuar nga Sebastjan Tinaj. 5.Grupi “Barbana” moshat 7 deri 9 vjeç me vallen “Xhemile”, koreografuar nga Sebastjan Tinaj. 6.Grupi “Barbana”, moshat 10 deri 14 vjeç, me vallen “Valle Ulqini”, koreografuar nga Sebastjan Tinaj. 7.Grupi 3-të nga “Fol Shqip” koreografuar nga Miranda Murataj, 8. Grupi “Barbana”, moshat 14 deri 22 vjeç me vallen “Valle Tropoje”, koreografuar nga Sebastjan Tinaj. Mbrëmja festive patriotike u mundësua prej organizatorëve dhe sponsorëve: Hysen Kraja, Nexhad Xhaferaj, Mujo Muriqi, Florina Lekperi, Halil Hoxha, Lulzim Popi, Muhamed Pali, Medina Xhaferaj, Sabrina Xhaferaj dhe Xhevat Vela.

Related posts

“Frontit Europian” iu bashkua edhe Unioni i Romëve, Ahmeti shtrëngoi duart me Osmanovskën

Gjyla Halili

Prej sot VLEN lëshon në përdorim ueb faqen evropiane VLEN.EU

Gjyla Halili

171 gjoba në Shkup, 18 për ngasje të makinës në gjendje të dehur

Gjyla Halili