AKTUALE

112 VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Sokol Paja

New York, 22 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, historia dhe identiteti i shqiptarëve në Amerikë, bashkoi vëllazërisht patriotët shqiptarë nga shtete të ndryshme të Amerikës, Kanadaja e Europa duke festuar me madhështi e hijeshi të veçantë 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni të veçantë festive organizuar në Bronx, New York, Vatra bashkoi organizata e shoqata patriotike, ambasadorë, diplomatë, luftëtar të UÇK, veprimtarë të çështjes kombëtare, aktivistë të komunitetit shqiptar, mësues, media e përfaqësues nga shoqat shqiptare në New York, New Jersey, Boston, Florida, Michigan e Connecticut në një festë madhështore siç i ka hije shqiptarëve të dashur e të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Festa e flamurit kombëtar, dita e Pavarësie është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar karshi kombeve më të përparuara e më të qytetëruara të botës. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë kombëtare që e bën të përjetshëm e të pavdekshëm historinë e lavdishme të popullit e kombit shqiptar. Flamuri që ngritën në Vlorë: Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Vehbi Dibra Agolli, Rexhep Mitrovica, Abdi Toptani, Mit’hat Frashëri, Iljaz Vrioni, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi e shumë patriotë të tjerë të shquar, është simboli më i çmuar i një populli e kombi të lirë e të pavarur. Flamuri kuq e zi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi i përjetshëm.

Me pjesëmarrjen e veçantë të patriotëve të shquar të kombit tonë si Elez Biberaj, Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Bajram e Drenusha Dreshaj, Rasim Hasanaj, Bujar Golemi, Virgjil Kule, Mimoza Ferraj e patriotë të tjerë, festa e flamurit kombëtar shënoi momentin më emocional kur këngëtari Hysni Kelmendi i dhuroi Vatrës flamurin kombëtar shqiptar të përdorur në luftën e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1998. Ky flamur frymëzoi shqiptarët në betejat e lirisë, me një qëllim të vetëm për lirinë dhe pavarësinë e e Kosovës. Ky flamur i shenjtë falë luftëtarëve trima nuk ra kurrë në duart e serbëve dhe u mbrojt me gjakun e lirisë.

Nën prezantimin e Editorit të Diellit dhe videoregjistrimin mjeshtëror të gazetarëve: Halil Mula, Nazim Salihu( Noli Tv), Ramazan Çeka e Dritan Haxhia, darka gala e Vatrës në Bronx filloi me këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u ekzekutuan mjeshtërisht nga tenori Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh) e tenori Julian Gjojdeshi.

Kryetari i Vatrës Dr.Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes paraqiti me detaje para të pranishmëve sukseset dhe arritjet e Vatrës në vitet e fundit duke rreshtuar vizitat zyrtare në Uashington, Kosovë, Shqipëri, Çamëri, Vatikan dhe u përqendrua në rolin e jashtëzakonshëm që Vatra po luan në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthimi i Vatrës në institucion partner me Departamentin e Shtetit Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe institucionet ligjzbatuese amerikane.

Imam Gazmend Aga gjatë bekimit të darkës së Flamurit Kombëtar solli dy shembuj klerikësh e patriotësh të shquar Vehbi Dibra që në ditët e pavarësisë kombëtare më 1912 u lut: “O Zot, jepi popullit tonë mendje të kthjellët dhe zemër të pastër që të ecë përpara me besim, dije dhe bashkim.” Na jep forcë, o Zot, që të ruajmë vendin tonë të bekuar, duke e ngritur atë me punë të ndershme, drejtësi dhe dashuri për njëri-tjetrin. O i Plotfuqishëm, ruaje gjuhën tonë dhe traditat tona të çmuara, që ato të mbeten gjithmonë burim krenarie dhe uniteti, u lut Imam Aga. Ai përmendi dhe Hafiz Ali Korçën i cili ka kujtuar: “Bashkimi, dashuria dhe puna e ndershme janë çelësi i shpëtimit të kombit.”

Kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama në fjalën e tij theksoi se Vatra, ka ruajtur dhe forcuar identitetin dhe traditat tona kombëtare. Vatra ka qenë një shtyllë e fortë që ka mbajtur gjallë traditat dhe vlerat tona, duke kontribuar në zhvillimin personal dhe profesional të shqiptarëve në Amerikë. Vatra vazhdon të jetë një forcë e rëndësishme në komunitetin shqiptar në Amerikë, duke organizuar aktivitete kulturore, edukative dhe lobuese që ndihmojnë në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në diasporë dhe atdheut. Përmes gazetës së saj “Dielli”, Vatra ka mbajtur të informuar dhe të lidhur komunitetin shqiptar për më shumë se një shekull. Festa e Flamurit është një ditë që simbolizon shpirtin e qëndrueshmërisë dhe krenarisë kombëtare të popullit shqiptar. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, tha ndër të tjera kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama.

Në emër të Ambasadës së Shqipërisë në Uashington dhe Misionit në Kombet e Bashkuara përshëndeti Konsullja e Shqipërisë në New York, Valentina Loka kurse në emër të Konsullatës së Kosovës në New York përshëndeti diplomati Fatmir Zajmi. Ata theksuan rëndësinë e Pavarësisë së Shqipërisë dhe rolin historik të Federatës Vatra në përpjekjet për kombin dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Diplomati Frymëzim Isufaj në fjalën e tij vuri theksin te miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin Amerikan, nuk është vetëm në shenjë falënderimi për gjithë kontributin që ky vend dhe ky popull mik e dha gjatë gjithë periudhës historike edhe në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në ruajtjen e sovranitetit por edhe në ndërtimin e proceseve demokratike pas rënies së komunizmit, por edhe për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën vendimtare e të pakursyeshme, për intervenimin humanitar të NATO-s që ndali gjenocidin, që riktheu shpresat në vlerat humane, civilizuese, duke larguar një herë e përgjithmonë hegjemonizmin nga ajo pjesë e Evropës.

Nën tingujt e magjishëm të muzikës autentike shqiptare kënduar nga Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh), tenori Julian Gjojdeshi e Hysni Kelmendi, mbrëmja festive kulmoi me recitimet e vallet kombëtare nga fëmijët shqiptarë të organizatës patriotike “Rrënjët Shqiptare” përgatitur nga koreografja Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh), ambasadorja e veçantë e kulturës shqiptare në mërgatën e Amerikës.

Mbrëmja madhështore e Festës së Flamurit Kombëtar, përkoi në një ditë të shënuar historike kushtuar Alfabetit Kombëtar ku Vatra në kurorën e lavdisë kombëtare ka merita të përjetshme në shërbim të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vatra është nderi i kombit shqiptar, frymëzim për brezat e ardhshëm dhe urëlidhëse e pandarë me shtetin e kombin mik amerikan. Vatra në rrugëtimin e saj 112 -vjeçar ka dëshmuar vlera të larta të identitetit kombëtar, krenari dhe trashëgimi e çmuar historike e popullit shqiptar, ndjenja të thella atdhetarie, kontribute në procese shtetformimi në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Vatra është trashëgimi shpirtërore, kulturore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rroftë Vatra, rroftë Dielli, rroftë Kombi shqiptar.

Related posts

Lladrovci për dorëheqjen e ministrit Mehaj: Profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit

admin

Konventa e kandidatit presidencial Stevo Pendarovski

Gjyla Halili

Ali Ahmeti nga Studeniçani: Historikisht asnjë Front nuk ka humbur, më 8 maj rrethojmë numrin 4

Gjyla Halili