Nga BDI nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, kanë reaguar pas publikimit të informacionit se në Manastir është bërë hapja solemne e Manastirit të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe Xhamia Jeni, përcjell TV21.
Nga BDI thonë se është akt i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanëshme. Tutje integristët theksojnë se është tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë Qeveri.
Reagimi i plotë i BDI.
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend.
Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri.
Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë.
Në një vend si Maqedonia e Veriut, ku bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një nga vlerat themelore të shtetit, një vendim i tillë është një goditje e rëndë ndaj tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës që kemi ndërtuar ndër vite.
Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve.
Në këtë kontekst, BDI dënon politikat e qeverisë që kanë për qëllim rrënimin e themeleve të barazisë dhe bashkëjetesës, duke i shndërruar këto tema në mjete politike për përçarje. Në vend që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.
BDI kërkon fuqimisht respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të çdo komuniteti në Maqedoninë e Veriut.
Objektet e shenjta dhe monumentet historike duhet të trajtohen me ndjeshmëri dhe respekt për rolin e tyre në identitetin dhe historinë e komuniteteve që i përkasin.
Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të politikave përçarëse.
Vendimet që anashkalojnë ndjeshmëritë ndërfetare dhe ndëretnike janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik dhe multietnik.
Ftojmë në promovimin e dialogut dhe harmonisë.
Qeveria duhet të veprojë me përgjegjësi për të garantuar që vendimet e saj të pasqyrojnë nevojat dhe ndjeshmëritë e të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë.
E bëjmë të qartë se ky vendim nuk është i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh që po minojnë themelet e bashkëjetesës shumëetnike dhe shumëfetare në Maqedoninë e Veriut. Këto politika degradimi nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në të ardhmen evropiane të vendit.
BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të rishikojnë këtë vendim, në mënyrë që të ruajnë dhe promovojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një vlerë e patjetërsueshme që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga vendime të tilla të njëanshme dhe të pamatura.
Stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohen vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, barazisë dhe promovimit të bashkëjetesës”.