Sot 21.11.2024 Myftiu i Tetovës Dr. Hfz. Selver Xhemaili mori pjesë në tribunën shkencore të organizuar nga Myftinia e Manastirit, me rastin e ditës së alfabetit me titull: “Kontributi i ulemave në konstituimin e alfabetit”.
Panelistë në këtë tribunë ishin, prof. dr. Fehari Ramadani, profesor në Universitetin e Tetovës, me temë: “Kongresi i Manastirit dhe rëndësia historike e tij” dhe prof. dr. Ziberi Lata, profesor në Fakultetin e shkencave islame me temë: “Kontributi i ulemave për alfabetin e gjuhës shqipe”.
Fjalë përshëndetëse dhe hapjen e tribunës e bëri myftiu i Manastirit, H. Amit Ef.Rasimi i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi BFI-në dhe Reisul Ulema për mbështetjen.
Më pas, fjalë rasti pati edhe Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai. Ai në mes tjerash theksoi “Kombi dhe gjuha Janë dy dhurata nga Zoti i Madhërishëm që ia ka dhënë njeriut dhe duhet të ruhen si sytë e ballit. Këtu u tubuan kolosët tanë sepse e kuptuan më mirë se çdokush tjetër, dhe vendosën për hir të Zotit të konstituojnë formatin dhe shtyllën kyçe të popullit, alfabetin përmes të cilit do të zhvillohet kombi, dija dhe zhvillimi pozitiv.
Ruajtja e gjuhës është ajo që ruan trungun kombëtarë. Ne si BFI në postulatin tonë kemi mishërimin e kombit dhe fesë. Nëse asgjësohet njëri nga këto elemente prishet trungu kombëtarë”.
Pjesëmarrësit në këtë tribunë shkencore më pas vizituan shtëpinë-muzeun e Alfbetit të gjuhës shqipe ku u pritën nga drejtori i saj z.Munir Asllani.