“Besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje”.
Kështu është deklaruar para mediave në Prishtinë, më 18 nëntor 2024, në konferencën e përbashkët të orës 13:45 me homologun e tij maqedonas, Hristjan Mickoski.
Një fjalor i tillë i kryeministrit Kurti për Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë më e pakta që mund të thuhet është i çuditshëm, pasi vetëm disa orë më herët është hedhur në sulm mbi Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në një tryezë të organizuar më 18 nëntor 2024, në orën 08:30 nga programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”, kryeministri Kurti ka hedhur vrerë mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila në shumë raste ka hedhur poshtë ligjet e hartuara nga Qeveria Kurti për shkak se ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Kurti është munduar ta portretizojë Kushtetuesen si një institucion që po bllokon ligjet “reformuese” të hartuara nga Qeveria e tij, por në asnjë moment nuk ka reflektuar se ato po shkruhen në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
“Ata që janë pasuruar në shpinë të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që hyn në fuqi së shpejti, i punuar sipas standardeve të Komisionit të Venecias, e me të do t’ia kthejmë pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët e që nuk u përket atyre. Natyrisht kjo nëse nuk do t’i nënshtrohet pritjes 10 mujore apo edhe një vjeçare të kontrollit kushtetues – e cila Gjykatë Kushtetuese ka shërbyer për të vonuar çdo reformë të nisur, për të mbajtur në fuqi për pasojë elemente të qeverisjes së vjetër”, shtoi ai.
Gjatë muajit nëntor, Kurti ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese rregullisht dhe gati në baza ditore. /Demokracia.com/