Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se që nga vendosja e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, mbledhja e qeverisë së Kosovës me atë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është ngjarja më e madhe që ka ndodhur, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, shefi i deputetëve të VV-së thotë se ani pse ky takim është diçka i mirëseardhur, por ideja që Kosova s’mund të shtyjë përpara asnjë agjendë diplomatike, përveç një mbledhjeje me shtetin fqinj, tregon për izolimin në të cilin vendi është përfshirë.
Ai tutje ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në Kosovë do të bëhet edhe më mirë.
“Më 28 qershor 2023, Bashkimi Evropian e njoftoi Qeverinë e Kosovës për vendosjen e sanksioneve, ose, nëse do t’i quajmë pak më butë, “masave”. Që nga ajo periudhë, të vetmet mjete të BE-së që shpenzohen në Kosovë janë pagat për stafin e tyre, ndërsa angazhimet e tjera janë në “standby”. Pamundësia për të shfrytëzuar fondet e para-anëtarësimit të BE-së si masë, është shoqëruar paralelisht me një masë edhe më të rëndë: mospërfshirjen e Kosovës si aktor dhe faktor në zhvillimet e rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare”.
“Sot pritet të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Që nga vendosja e sanksioneve, kjo është ngjarja më e madhe e Kosovës në rrafshin e jashtëm. Pavarësisht se kjo ngjarje është e mirëseardhur, vetë ideja që Kosova nuk mund të shtyjë asnjë agjendë diplomatike përpara, përveç një mbledhjeje me një shtet fqinj, tregon shumë për izolimin në të cilin jemi përfshirë. A mund të bëhet më shumë? A mund të bëhet më mirë? Natyrisht që po. Nuk ka asnjë dyshim se MaMirë do të bëhet pas 9 shkurtit 2025”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Zyra e kryeministrit Albin Kurti e ka bërë të ditur agjendën finale për mbledhjen e përbashkët.
Në 10:30 – 10:45 pritet mbërritja e delegacioneve e më pas edhe ajo e kryeministrave.
Pas ceremonisë zyrtare dhe fotografisë së përbashkët, kryeministrat Albin Kurti dhe Hristjan Mickoski pritet ta zhvillojnë fillimisht një takim bilateral.
Këtë takim do ta pasojnë takimet bilaterale ndërmjet ministrave (homologëve) të qeverive, ndërsa më pas pritet të zhvillohet takimi ndërqeveritar.
Nënshkrimi i marrëveshjeve të parapara pritet të bëhet pas takimit.
Kurti dhe Mickoski do ta mbajnë më pas edhe një konferencë për media.
Agjenda mbyllet me një drekë zyrtare.
/Reporteri.net/