Si drejtor i festivalit mbarëkombëtar “Dita Jonë,” kam privilegjin dhe kënaqësinë e madhe që të ndaj me ju emocionin e këtij suksesi të shkëlqyer në edicionin e tij të 11-të! Ky festival është bërë simbol i gjallë i rritjes kulturore të Kërçovës dhe po shkruan një histori të ndritur për kulturën shqiptare. Në vitin 2013, me përkrahjen e kryetarit të Komunës z. Dehari, nisi rrugëtimin ky projekt ambicioz në zemrën e Kërçovës së lirë, duke e shndërruar Uskanën në një pikë takimi artistik të trojeve shqiptare.
Me mbështetje të parezervë nga Komuna e Kërçovës, këtë vit festivali hyri në dekadën e tij të dytë, duke sjellë 18 këngë konkurruese nga Presheva, Shkodra, Tirana, Malisheva, Lipjani, Prishtina, Shkupi e Tetova. Edicioni i 11-të shkëlqeu falë energjisë së jashtëzakonshme rinore të artistëve si Ylli, Albina, Flamuri, Shkëlqimi dhe Rina, të cilët janë shpresa e artë e këtij festivali për vitet që vijnë. Për mua, një moment krenarie të veçantë ishte performanca dinjitoze e pesë talenteve të reja nga Kërçova, që dëshmuan me zë e figurë potencialin e jashtëzakonshëm artistik të qytetit tonë.
Shpreh mirënjohjen time të thellë për Ministrinë e Kulturës që për 11 vite ka vlerësuar festivalin “Dita Jonë” si pjesë të programit me interes kombëtar. Faleminderit edhe televizioni “Uskana” dhe mbështetësve tanë “Lindi,” “Përparimi,” restorant “Avenu,” “Power Petrol” që na mundësuan të krijonim një atmosferë pritjeje të ngrohtë për miq e artistë nga të gjitha trojet, duke e bërë sallën e Pallatit të Kulturës një arenë plot entuziazëm dhe duartrokitje të zjarrta.
Mirënjohje e veçantë shkon për spektatorët, qindra fëmijë, prindër e arsimtarë që, me dashurinë dhe përkushtimin e tyre, krijuan një atmosferë unike që nuk do të harrohet lehtë. Falenderime të përzemërta për të gjithë kompozitorët, tekstshkruesit dhe orkestruesit për këngët e mrekullueshme që i dhanë shkëlqim këtij festivali. Një falënderim i posaçëm për mysafirin special Pajazit Murtishi, i cili nderoi me praninë e tij këtë edicion historik.
Ky festival është më shumë se një ngjarje muzikore – është një përkushtim për kulturën, një frymëzim për brezat e rinj dhe një mburojë e traditës sonë të pasur kombëtare. Le të vazhdojmë bashkërisht në këtë rrugë për t’i dhënë Kërçovës dhe gjithë kulturës shqiptare vendin që meritojnë në hartën e vlerave evropiane dhe botërore.