Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot mori pjesë në takimin e nivelit të lartë për përgatitjen e Kornizës së re të bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2026-2030, ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takimin ku morën pjesë kryeministri Hristijan Mickovski dhe ministrat, zëvendëskryeministri i parë Mexhiti prezantoi prioritetet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, jetike për zhvillimin e qëndrueshëm, që është një proces aktual, në drejtim të përmirësimit të mjedisit, aspektit ekonomik dhe atij social.
“Ne duhet t’i lëmë brezave të ardhshëm një zgjedhje të mundësive më të mira, si dhe një zhvillim të qëndrueshëm të balancuar socio-ekonomik, i cili duhet të mundësojë një fushë më të gjerë të veprimtarisë njerëzore, duke respektuar ende kufijtë e natyrës dhe mjedisit dhe duke mos pasur efekte negative në shëndetin e qytetarëve”, tha Mexhiti.
Republika e Maqedonisë së Veriut, tha ai, si shtet kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, po përballet me sfidat e zbatimit efikas të reformave serioze në sistemin shoqëror, nga të cilat mjedisi ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e tij të përgjithshëm.
“Me dokumentet e miratuara në nivel shtetëroë dhe miratimin tonë të Axhendës së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, vendi ynë ka njohur potencialin e rritjes dhe zhvillimit të gjelbër. Duke ditur ndikimin e ndryshimeve klimatike, politikat e Qeverisë duhet të orientohen drejt politikave më të qëndrueshme, të përcaktuara dhe të projektuara në strategjitë kombëtare”, tha Mexhiti në takim, duke shtuar se prioritetet sektoriale në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike janë të harmonizuara plotësisht me Planin e Gjelbër Evropian dhe Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Mexhiti vuri theksin në domosdoshmërinë e ndërmarrjes së veprimeve të koordinuara në nivel lokal, rajonal dhe global, për parandalimin, reduktimin dhe zbutjen e ndikimeve të dëmshme në mjedis.
Në mbledhjen e sotme të nivelit të lartë, të pranishëm ishin kabineti qeveritar dhe përfaqësuesja e përhershme e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia, së bashku me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në vendin tonë.