Kryeministri Hristian Mickoski u vendosi fund dilemave të hapura një ditë parë. Ai konfirmoi atë që e deklaroi deputeti i VLEN-it, Halil Snopçe përballlë ministrit për shoqëri informatike Goran Minçev , se ekziston grup pune i ekspertëve i cili punon në përgatitjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe se ministri i Administratës Publike nuk është pjesë e tij. Mickoski sqaroi e e tërë hutia është shkaktuar në njëfarë mënyre për shkak se ministri Miçev nuk është anëtar i Grupit Punues, shkruan Zhurnal.
Unë nuk i komentoj qëndrimet e individëve që vijnë nga partnerët tanë të koalicionit. Po, ka një grup pune në të cilin ka ekspertë që po punojnë për hartimin e një zgjidhjeje ligjore që do të jetë kushtetuese, e cila pasi të përcaktohet do t’i jepet publikut për mbikëqyrje, do të dëgjojmë gjykatën e publikut dhe më pas Komisionit të Venecias para se të hynte në procedurë parlamentare. Përndryshe, po, ka një grup të tillë”, ministri Minçev nuk është në atë grup, tha Mickoski i pyetur nëse ka grup punues për Ligjin për përfaqësim të drejtë, duke qenë se dy partnerët e tjerë të koalicionit në Qeveri kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
Dilemat e opozitës mbeten edhe më tutje.
Ish ministri i drejtësisë, nga ASH, Krenar Lloga pohon se nuk është shfuqizuar Balancuesi, por përfaqësimi i drejtë sipas përkatësisë etnike. Në TV21, duke komentuar vendimin e Kushtetueses, ai theksoi se është hapur rruga që në të ardhmen çdo ligj në të cilin do të theksohet përkatësia etnike, përsëri të shfuqizohet.
Sipas Llogës, opinioni manipulohet me pohimin se është shfuqizuar balancuesi e jo përkatësia etnike, ndërsa përfaqësuesit e koalicionit qeveritar pohojnë se përfaqësimi i drejtë mbetet dhe do të jetë kategori kushtetuese. Megjithatë nuk dihet nëse zgjidhja e re ligjore do ta përmbajë formulimin “përkatësi etnike”.
Ndryhe, nismën për Ligj të ri e ngriti koalicioni VLEN, por për shfuqizim të balancuesit dhe zvendësim të tij me një mekanizëm tjetër, më herët pretendohet se kanë qenë edhe përfaqsuesit e BDI-së në pushtet, të cilët tani mohojnë gjë të tillë, mes akuzave se me ndryshimin e qeverisë, përfaqësimi i shqiptarëve po lëviz drejt një rënie të përgjithshme, shkruan Zhurnal.
Duke mohuar këto vlerësime, kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi nuk pajtohet se se resorët që paraprakisht kanë qenë të udhëhequra nga shqiptarë gjegjësisht nga BDI, i ka përvetësuar VMRO-DPMNE.
Në këtë përbërje parlamentare dhe qeveritare që është koalicioni VLEN ne e trashëgojmë gjithë hisen e pushtetit që e ka pasur BDI-ja. Ne nga tre postet më të larta të shtetit e kemi kryetarin e Kuvendit, nga pjesa e ministrive kemi 30% e ministrive. Tash i bie që Ministrinë e Jashtme e ka marrë VMRO-ja dhe kemi marr Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Financave e ka marrë VMRO-ja ne e kem marrë Ministrinë e Punëve Sociale, por është ruajtur ekuilibri që shqiptarët të jenë të përfaqësuar me minimum 25% në çdo eshalon të qeverisë.
Madje, Ibrahimi thotë se shqiptarët janë të përfaqësuar denjësisht me përqindje, ndërsa nga pozitat udhëheqëse janë larguar individë të vendosur nga LSDM.
“Ata nuk shkarkohen se janë shqiptarë, por shkarkohen se janë LSDM dhe në vendin e tyre vijnë kuadro të VMRO-së. Emërimet që kanë qenë të BDI-së, ato kuadro zëvendësohen me të VLEN-it, por nuk ka asnjë përjashtim të asnjë shqiptari nga asnjë vend i punës”, tha Ibrahim.
Tashmë është e qartë se edhe pas balancuesit do të ketë “balancues” të ri për përfaqësimin adekuat, i ngritur në nivel Ligji. fillimiht nevojitet një Ligj i cili nuk doo të mund të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. pastaj, Zhurnal veçmë ka dalë me idenë se do të ishte mirë që në funksion të pamundësimit të keqpërdorimeve siç janë bë më herët, për kuotat që do u takojnë shqiptarëve si kusht të vendoset edhe njohja e gjuhës shqipe. Kjo nuk eviton ndoshta në tërësi, por ulë në minimum mundësinë për keqpërdorime të reja në të ardhmen. Këtë argument të paraqitur fillimisht nga Zhurnal, e ka prekur edhe Daniel Server, profesor amerikan në universitetin Xhon Hopkins në Uashington, duke u përgjigjur në letrën që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka dërguar liderëve rajonal dhe ndërkombëtar.
Çështja e dytë ka të bëjë me identifikimin etnik të administratës qeveritar. Sigurisht, unë preferoj një sistem të verbër ndaj ngjyrave, të bazuar në merita.
Por mospërcaktimi i identifikimit etnik të punonjësve të qeverisë nuk do ta bëjë punësimin e qeverisë të verbër. Emrat ju tregojnë se kush është shqiptar e kush maqedonas.
Dyshoj se qëllimi i këtij propozimi është vazhdimi i dominimit aktual të maqedonasve në pozitat e larta qeveritare.
Falsifikimi i verbërisë së ngjyrave nuk do të funksionojë. Maqedonia duhet të diversifikojë të punësuarit në sektorin publik për të pasqyruar më plotësisht diversitetin e popullsisë.
Une nuk jam adhurues i kuotave. Por veprimi afirmativ me përparësi kualifikimeve është një proces që mund të prodhojë rezultate të arsyeshme.
Shumë shqiptarë kanë një kualifikim që i mungon shumicës së maqedonasve: flasin të dyja gjuhët.
Qeveria duhet ta marrë parasysh këtë kur punëson.
Për Përfaqësimin e drejtë në qeveri:
Çështja e tretë e përfaqësimit të drejtë nuk është specifikuar plotësisht.
Unë supozoj se i referohet pozitave që u janë dhënë shqiptarëve etnikë në qeverinë aktuale.
Kjo është më shumë një ankesë politike sesa ligjore apo kushtetuese”, vlerëson Server./Zhurnal