AKTUALE

VATRA THEMELOI DEGËN NË LONG ISLAND DHE INAUGUROI SHKOLLËN SHQIPE “GJERGJ FISHTA” NË NEW YORK

Sokol Paja

Long Island, New York – 26 Tetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” themeloi degën më të re të Vatrës në Long Island – New York dhe inauguroi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Me pjesëmarrjen e kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, Sekretarit Dr. Pashko Camaj, Arkëtarit z.Besim Malota dhe editorit të Diellit u përgëzua dhe vlerësua iniciativa e shenjtë dhe puna e shkëlqyer e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë në Long Island-New York të cilët bashkuan energjitë patriotike e komunitare në shërbim të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë. Fjalën e hapjes e mbajti prifti amerikan Gil Lap i cili i ka ofruar ambientet e Parish Center per zhvillimin e mesimit per shkollën shqipe “Gjergj Fishta” për të zhvilluar të gjitha aktivitetet e veprimtaritë atdhetare e kulturore. Dega e Vatrës në Long Island u themelua nga studiuesi Dr. Paulin Marku dhe iu bashkangjitën si grup pune David Turkaj, Besnik Bajraktari e Afrim Gega. Në fjalën falenderuese për patriotët shqiptarë dinjitozë e të dinjitetshëm të Long Island, kryetari Dr. Berisha shprehu vlerësimet më të larta për shqiptarët punëtorë e të suksesshëm e patriotë që iu bashkuan Vatrës, kauzës kombëtare e shkollës shqipe. Dr. Berisha shpjegoi në fjalën e tij vizionin dhe transformimet e Vatrës e kontributin historik në dobi të çështjes kombëtare e deri në ditët e sotme ku Vatra është partner në Departamentin e Shtetit dhe institucionet amerikane. Dr. Berisha foli për bashkëpunimin e ngushtë në vite me studiuesin Dr. Paulin Marku dhe garantoi komunitetin për vlerat e tij intelektuale, patriotike e qytetare si garanci për të ardhmen e Vatrës dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në Long Island. Arkëtari i Vatrës z.Besim Malota dhe Sekretari Dr. Pashko Camaj vunë theksin në fjalën e tyre tek rëndësia e bashkëpunimit dhe bashkimit të shqiptarëve rreth Vatrës si institucioni historik kombëtar i mërgatës dhe përfaqësuesja më e shquar e shqiptarëve të Amerikës. Shkrimtari Mëhill Velaj vuri theksin te puna fenomenale e Federatës Vatra në mbështetje të komunitetit shqiptar, kombit, vlerave kombëtare dhe arsimit shqip si trashëguese e pavdekshme e kombit shqiptar. Studiuesi Frano Kulli në fjalën përshëndetëse dërguar nga Lezha theksoi se hapja e një shkolle shqipe në Long Island, NY, pa mëdyshje është ngjarje, është një ndër lajmet më të mira që vjen këto ditë nga përtej Oqeanit këtu në Shqipërinë tonë të vogël. Më tej studiuesi Frano Kulli shtoi se shkolla shqipe është garanci për mbrojtjen e ruajtjen e gjuhës sonë sot, si elementi më i rëndësishëm i idenditetit tonë kombëtar. Nuk kishte me qenë trashëgimi e pasuri më e madhe për brezin e ri që jeton sot në diasporë e brezat që do të vijnë sesa ruajtja e kultivimi i gjuhës shqipe, porositi z.Kulli. Në fjalën e tij kryetari i zgjedhur i Vatrës në Long Island Dr. Paulin Marku shprehu mirënjohjen për mbështetjen kryetarin e Vatrës Dr. Elmi Berisha për mbështetjen në procesin e themelimit të degës së re, vizionin dhe punën e shkëlqyer të Vatrës duke qenë udhëheqësja më e rëndësishme e proceseve kombëtare e patriotike në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Marku mes emocionesh shpjegoi rrugëtimin për themelimin e degës së Vatrës Long Island dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” ku ai bashkë me bashkëshorten e tij bashkëthemeluese Fabjola Gjinaj do të punojnë me fëmijët shqiptarë për ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës kombëtare, historisë, traditës shqiptare dhe identitetit kombëtar në mërgatën e Amerikës. Editori i Diellit përgëzoi degën e re: Dr. Paulin Marku-kryetar, Afrim Gega- nënkryetar, Klaudio Turkaj – sekretar i Degës dhe Besnik Bajraktari- arkëtar dhe çmoi angazhimin e tyre patriotik për ti shërbyer Vatrës, gjuhës shqipe, kombit shqiptar, atdheut e komunitetit. Me emocionesh themeluesja e shkollës shqipe Fabjola Gjinaj eksperte prej 12 vitesh në mësuesi prezantoi para te pranishmëve rendesine per projektin e nisur me shkollën shqipe si dedikim për shqiptarinë në përpjekjet e shenjta të ruajtjes së identitetit kombëtar e gjuhës shqipe në mërgatën e Amerikës. Në mbyllje të fjalës së saj, citoi vargjet “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”. Shkolla është falas dhe do të ofrojë mësim shqip, këngë e valle çdo të shtunë nga ora 10 am – 12 pm në adresën: 134 Middle Country Rd, Coram, NY 11727. Me rastin e themelimit të shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 30 gazeta Dielli dhe 30 libra shqip për fëmijët shqiptarë.
Kjo ishte një dite feste që do të mbetet e shënuar në historinë e Vatrës dhe të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në angazhimin e tyre për të mos harruar kurrë gjuhën shqipe, kombin dhe atdheun.

Related posts

Doktoranti Mustaf Veseli emërohet shef shtabi për Komunën e Likovës

Gjyla Halili

Bashkim Asani shef i shtabit zgjedhorë i Lëvizjes Demokratike

Gjyla Halili

Janë paguar mjetet për bursa shkollore dhe studentore dhe shujtën e subvencionuar studentore

admin