AKTUALE

KONFERENCË SHKENCORE “DR. REXHEP BOJA PRIJËS, VIZIONARË DHE BURRËSHTETAS I SHQUAR”

Sot me 18.10.2024 në Prishtinë, në organizim të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, nën patronazhin e myftiut, mr. Naim ef. Tërnava, u bë hapja e konferencës shkencore dyditore, “Dr. Rexhep Boja, prijës, vizionarë dhe burrështetas i shquar”. Në këtë konferencë, mes shumë personaliteteve të shquara të jetës politike, akademike dhe shoqërore të Kosovës dhe më gjerë, si ish presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ish ministri i jashtëm dhe nënkryetarë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Enver Hoxhaj, Ukë Rugova, djali i presidentit të parë të R. Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dr. Ekmeludin Ihsanogllu, ish sekretarë i Organizatës së Konferencës Islamike, Bekim Kupina, përfaqësues i presidentes së Republikës së Kosovës, z-nja Vjosa Osmani, nikoqirin dhe familjen Boja, mes gjithë këtyre personaliteteve e nderouan edhe Reis ul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai i shoqëruar nga ish Kryetari i BFI-së, Arif Ef. Emini, muftiu i Myftinisë së Shkupit, Dr. Qenan Ef. Ismaili, shefi i kabinetit të Reisit, Dr. Abdulkerim Ef. Iseni dhe disa nga drejtorët e Rijasetit të BFI-së.
Në fjalën e tij, nikoqiri, myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, mr Naim ef. Tërnava tha se pa dyshim që jeta dhe vdekja janë për të na provuar se kush prej nesh është më i mirë dhe në këtë kontekst, kur flasim për jetën dhe veprën e dr. Rexhep Bojës, apo, Doktorit, siç e thirrshim të gjithë, nuk di nga t’ia filloj, sepse dr. Boja ka bërë shumë për BIK-un, besimtarët dhe për shtetin e Kosovës. Çdo detyrë që iu besua ai e kreu me nder, sinqeritet dhe përkushtim. Ne në fillimet e viteve 90 patëm fatin të jemi nen udhëheqjen e Dr. Bojës i cili me guxim dhe vizion të qartë udhëhoqi BIK-un në një periudhë shumë të trazuar dhe rëndësishme të historisë sonë duke mos kursyer asgjë dhe duke vënë gjithçka në shërbim të mëvetësisë së shtetit të Kosovës. Boja kudo që ishte promovoi Republikën e Kosovës dhe njohjen e të drejtës së populli shqiptar në Kosovë për vetëqeverisje dhe vetëvendosje. Rexhep Boja ishte fjalëpakë por me shumë punë. Ai gëzonte respekt të veçantë në mesin e të gjithë atyre që e njihnin falë butësisë mençurisë guximit dhe sinqeritetit, tha mes tjerash myftiu Tërnava, duke përfunduar me këshillën që doktori ua përsëriste gjithmonë, “Aty ku është populli aty do jetë Bashkësia Islame, sepse krahas përgjegjësi që kemi për fenë po aq përgjegjësi kemi edhe punën për shtetin dhe vatanin tonë sepse këtë punë do e shohë Zoti dhe Pejgamberi i Tij”.
Për fjalë rasti në skenë u ftua edhe Reis ul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai i cili tha se Dr. Rexhep Boja ishte nga ata njerëz për të cilët Allahu thotë: “Midis besimtarëve ka të atillë që e mbajtën besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, ndërsa të tjerë presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre” (Ahzab- 230. Ai e mbajti besën me Allahun në veprimtarinë e tij për fe e atdhe. Ai është dhe do mbetet inspirim për rrugëtimin tonë drejtë ardhmërisë së ndritshme të kombit dhe besimit. Dr. Rexhep Boja ishte vizionar i madh i cili mendonte për ardhmërinë e BIK-ut duke e ditur se ajo është një nga shtyllat kryesore të kombit që i jep shpirt, moral dhe dinjitet Kosovës, tha mes tjerash në fjalën e tij, Reisul Ulema.
Më pas, për veprën dhe jetën e Dr. Rexhep Bojës, folën edhe ata që e kanë pasur fatin të bashkëpunojnë ngushtë, ish presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i cili e kishte emëruar ambasador të Republikës së Kosovës në Rijad të Arabisë Saudite. Presidenti Sejdiu tha se kishte vendosur të ë emëroj Bojën ambasador sepse kisha besim shumë të fortë se ai është njeriu i duhur në kohën kur më së shumti Kosova kishte nevojë për konfirmimin e shtetësisë. Sepse ai ishte njeri që më së miri e njeh Lindjen e Mesme, ka njerëz që njeh që nga koha e studimeve e që ishin njerëz me ndikim dhe që mund të ndihmojnë.
Pastaj për dr. Rexhep Bojën, folën edhe dr. Enver Hoxhaj, ish ministër i jashtëm i Kosovës, më pas edhe ish sekretari i Konferencës së Botës Islame dhe mik i madh i shqiptarëve, dr. Ekmeludin Ihsanogllu dhe Bekim Kupina, përfaqësues i presidentes Vjosa Osmani. Përfundim i të gjithë folësve ishte se Dr. Rexhep Boja ishte një vizionar dhe punëtor i palodhshëm i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Befasia e këndshme erdhi në fund kur përfaqësuesi i komunës së Obiliqit kumtoi se me vendim të Këshillit komunal, një nga rrugët kryesore të qytetit, për nder të dr. Rexhep Bojës, do të mbajë emrin e tij. Krejt në fund, Bahri ef. Boja, i biri i dr. Rexhep Bojës, në emër të familjes së tij falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë shkencore që i dedikohet babait të tij.

Related posts

Kasami: Fitorja e VLEN është e rëndësishme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Reagim ndaj deklaratës së Dafina Stojanoskës nga VMRO-DPMNE

Gjyla Halili

Rikthehet Blloku 2, TEC Manastir funksionon me kapacitet të plotë

admin