AKTUALE

FJALIMI I REISUL ULEMASË NË MANIFESTIMIN “MIRË SE ERDHE JA RESULALLAH”

HËNA E RE – Tema nga numri i Shtatorit 2024

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرًا وَنَذِيرًا وَدَاعِيًا إِلَى اللَّهِ بِإِذْنِهِ وَسِرَاجًا مُنِيرًا

“O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues
dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues”. [ AHZAB 45-46]

I nderuari Myfti Sabahudin ef. Zendeli, të nderuar vëllezër e motra, zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm!
Sonte, përkujtojmë ditëlindjen e personalitetit më të madh në historinë e njerëzimit, lindjen e të Dërguarit të Zotit të Madhërishëm, Muhamedit, paqja e Zotit qoftë mbi të.
U lind në këtë botë për të marrë mbi supet e tij misionin e Zotit për t’i shërbyer njerëzimit, për të prezantuar rrugën e shpëtimit dhe formimit të dinjitetit njerëzor, në një kohë të shkatërrimit total të vlerave shpirtërore e morale.
Ardhja e tij në këtë botë bëri kthesën më të madhe në historinë e njerëzimit, erdhi si një shpëtimtar për të definuar njeriun dhe sferat e aktivitetit të tij.
Në errësirën e paparë, ndriçoi si një pishtarë i vërtetë dhe solli parimet që diktojnë dinjitetin, moralin, zhvillimin, përparimin dhe qëllimet fisnike të njeriut dhe gjinisë njerëzore.
Muhamedi a.s. i udhëhequr nga fjalët e Zotit në Kur’anin Famëlartë solli mëshirën ndaj çdo krijese sepse, pikërisht, ky ishte qëllimi i tij – mëshirë për të gjithë botët, sepse të tillë e dërgojë Zoti:
“Ty Muhammed të kam dërguar mëshirë për të gjithë botët”.
I dha kuptim jetës, njeriut, botës për t’u arritur kënaqësia e kësaj bote dhe botës tjetër.
Ai vendosi bazat, shtyllat e fuqishme të njerëzimit:
– Besimi në një Zot që është mbështetja me fuqishme në jetën e njeriut;
– Dija dhe hulumtimi shkencor është i patjetërsueshëm në udhëtimin e njeriut në krijimtarinë e Zotit;
– Morali është lulja më e bukur dhe era më e këndshme e njeriut në shoqëri
– Familja është baza dhe vatra që jep fuqinë jetës në mes njerëzve dhe gjinisë njerëzore;
– Kultivimi i paqes në mes njerëzve është vlera më e madhe që duhet të kultivohet në çdo vend dhe kohë;
– Dashuria ndaj kombit dhe vatanit është nderi më i madh i angazhimeve të njeriut, andaj ai nuk guxon të ngel i shkretë dhe pa shpresë nga migrimi masovik që po i ndodh;
– Shenjtëria e jetës së njeriut është baza e respektit ndaj njëri tjetrit.
Këto dhe shumë parime tjera ardhja e Muhamedit a.s. hapi rrugën e ngritjes së vetëdijes së popujve në botë, solli mbrojtjen e thesareve të kombeve, solli periudhën e humanizmit dhe renesancës në të gjithë botën dhe hapi shtigje të ardhmërisë së njeriut.
Nisur nga kjo, Majkëll Harti kur e vendosi të parin në listën e 100 personaliteteve më me ndikim në historinë e njerëzimit, në mes tjerash tha:
“Alternativa ime e vënies së Muhamedit në krye të listës së njerëzve më me influencë në botë mund ta habisë ndonjë lexues e mund të diskutohet nga të tjerë, por ai qe i vetmi njeri në histori, i cili pati suksesin më të madh, si në aspektin fetar, ashtu edhe në aspektin shekullar.”
Sot, si gjithmonë, po tentojnë të sulmojnë vlerat fetare e shpirtërore duke qenë në shërbim të strategjive të huaja për të zbehur me shpifje të llojllojshme vlerën fe, traditë dhe kulturë, të pavetëdijshëm se besimi është shpirti i çdo një kombi dhe vendi për t’i afruar njerëzit në kultivimin e të mirës, konstruktives, shpirtërores dhe dinjitozes.
Bashkësia fetare islame e RMV është organizatë konstruktive që kultivon vlera shpirtërore për të mirën e të tashmes dhe të ardhmes së popujve në këtë nënqiell.
Është aset i fuqishëm dhe sot paraqet Bashkësi që është prezentë në të gjitha eventet botërore, konferenca, panele shkencore, si dhe e gatshme të prezantoj Islamin në frymën e tij burimore si dhe t’i qaset nga të gjitha aspektet dhe sot paraqet një subjekt serioz dhe stabil shpirtërisht, moralisht dhe materialisht me të gjitha institucionet fetaro-shkencore e gatshme për të ngritur vetëdijen e besimtarëve drejt popujve të përparuar dhe të zhvilluar.
Në fund kam nderë të veçantë që në emër të BFI e RMV dhe në emrin tim të gjithë besimtarëve brenda dhe jashtë vendit t’ju uroj 12 Rebiul Evelin’ ditën kur u lind personaliteti më i madh në historinë e njerëzimit, Muhammedi a s.
Qoftë ky përkujtim një moment shumë i rëndësishëm në ngritjen tonë në çdo sferë të jetës tonë për të mirën tonë dhe për të gjithë njerëzimin.
Zoti Ju bekoftë!

Related posts

Kush do të dilte fitues në “duelin” presidencial mes Arben Taravarit dhe Ali Ahmetit? Ja çka flasin faktet?

Gjyla Halili

PDK i quan fushatë përndjekjeje aksionet e Speciales, kërkon që të ndalen

Gjyla Halili

Një burrë nga Haraçina u ndalua pasi fluturoi me një dron pranë një kazerme

Gjyla Halili