Sokol Paja
New York, 14 tetor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në një ceremoni zyrtare në Selinë Qendrore, nderoi me “Mirënjohje” Shkëlqësinë e tij Imzot Angelo Massafra me motivacion: “Si udhëheqës i shquar i katolicizmit shqiptar, për kontributin e jashtëzakonshëm në rimëkëmbjen e Kishës Katolike në Shqipëri, për meritat e veçanta në forcimin e promovimin e vëllazërisë ndërfetare në Shqipëri, për veprimtarinë publicistike në lartësimin e vlerave më të shquara të kombit shqiptar e klerit katolik në Shqipëri, për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë e zbardhjen e të vërtetës historike të persekutimit të klerit katolik përgjatë diktaturës komuniste”. Shkëlqesia e tij Imzot Angelo Massafra udhëheqësi i Dioqezës Shkodër-Pult, arbëresh, ka lindur më 23 mars 1949 në San Marzano të San Giuseppe (Taranto), Itali. Ka ardhur në Shqipëri për herë të parë më 1 dhjetor 1991 duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Gjatë vizitës së ngrohtë e vëllazërore në Vatër, kryetari Dr. Elmi Berisha e falënderoi Imzot Massafrën për vizitën historike të Vatrës në Vatikan dhe kontributin e tij fetar e kombëtar në Shqipëri. Imzot Angelo Massafra vlerësoi Vatrën për punën atdhetare e komunitare dhe ftoi vatranët në ceremoninë kanonike të lumturimit të Martirëve të fesë At Luigj Palaj dhe Dom Gjon Gazulli, ceremoni që zhvillohet në Shkodër më 16 nëntor 2024.